HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-08 14:14:28
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Sandri: urgjente, ndërhyrjet për të ndaluar shpërnguljen e të krishterëve nga Iraku e Siria



“Bota e qytetëruar, autoritetet publike dhe organizmat ndërkombëtare, duke parë situatën tejet të rënduar, nuk duhet t’i vonojnë për asnjë çast ndërhyrjet e domosdoshme humanitare dhe të të gjitha natyrave të tjera, për të ndaluar, posaçërisht në Irak e në Siri, shpërnguljen e dhimbshme e të padrejtë të të krishterëve nga trojet, në të cilat banojnë që prej dymijë vjetësh”: është thirrja e kardinalit Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, i cili e falënderon nga zemra Papën Françesku “për afërsinë plot kujdes prej ati, që u shprehu njëqindmijë të krishterëve të tjerë, të cilët u detyruan mbrëmë, gjatë natës, të braktisin shtëpitë, kishat, fshatrat e rrafshit biblik të Ninives e të ravgojnë drejt qytetit të Erbilit, në kushte të papërfytyrueshme, në kërkim të një strehe e të një kafshate buke, ndërsa i pret para një ardhmëri krejtësisht e paqartë.
Jemi, pohon prelati i lartë, “përballë akteve kundër Zotit e kundër çdo ndjesie njerëzore”. Në lidhje të vazhdueshme me patriarkun kaldeas Sako, me përfaqësinë papnore në Bagdad e me ipeshkvijtë vendas, Kongregata për Kishat Lindore inkurajon autoritetet përgjegjëse si dhe të gjithë ata, që e kanë për zemër fatin e të krishterëve të Lindjes, të bëjnë, me ngut, atë që është më e domosdoshme për të lehtësuar vuajtjet: pa ujë, pa ushqime, pa asgjë të domosdoshme për jetën njerëzore, posaçërisht fëmijët e pleqtë po kalojnë çaste me pasoja tepër të rënda. Ekziston rreziku i një epilogu katastrofik, nëse nuk do t’i jepet fund pasigurisë së përgjithshme, ndjekur me indiferencë nga shumëkush, ndonëse aspak e panjohur, sepse e denoncuar vazhdimisht, nënvizon.
Duke shprehur dhimbjen e pamasë dhe indinjatën e barinjve dhe të besimtarëve lindorë katolikë, të përhapur nëpër botë, kardinali Sandri i lutet përsëri, me gjithë shpirt, Zotit, për popullsitë e dëmtuara rëndë nga dhuna barbare, në kundërshtim të plotë me dinjitetin njerëzor. Shpreh edhe solidaritetin e thellë njerëzor e të krishterë ndaj këtyre njerëzve, që kërkojnë, e meritojnë, ndihmë e mbështetje nga e gjithë bota.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama