HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-08 14:53:38
A+ A- Printo artikullin



Papa emëron kardinalin Filoni, të dërguar të tij personal në Irak



Duke ndjekur nga afër situatën e rëndë në Irak, Ati i Shenjtë emëroi kardinalin Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, të dërguarin e tij personal, për t’u shprehur afërsinë shpirtërore popullsive, që vuajnë e për t’u çuar solidaritetin e Kishës. Ta dëgjojmë kardinalin Filoni, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Sigurisht është gjest besimi ndaj meje, nga ana e Atit të Shenjtë, por unë do të nënvizoja se ky gjest flet më shumë për vëmendjen e madhe, me të cilën Papa e ndjek situatën e këtyre të krishterëve që, në këtë çast, po vuajnë; e po vuajnë shumë. A ka vuajtje më të madhe, sesa të braktisësh strehën ku linde, të shikosh si të këputen rrënjët, si poshtërohesh, duke u detyruar të lësh shtëpinë tënde të kërkosh strehë gjetiu, si lypsar. Prej këndej, vëmendja e kujdesi i Papës më duket gjëja më e rëndësishme e shpresoj, në këtë këndvështrim, t’u përgjigjem konkretisht kërkesave të gjithë këtyre njerëzve. E jo vetëm duke u shprehur aspektin e vëmendjes së Papës, por edhe duke shikuar, me Patriarkatin, ç’mund të bëjmë konkretisht, si Kishë universale.

Pyetje: - Mendoj se do të jetë shtegtim i vështirë e delikat: a keni krijuar ndonjë ide për organizimin e tij?

Përgjigje: - Jemi duke u organizuar këtë çast, edhe sepse nuk është aspak e lehtë të arrijmë në vend… Po nuk duhet të trembemi. Pa dyshim, nuk do të na mungojnë mundësitë për ta kryer këtë shtegtim e për të parë ç’mund të bëjmë, duke jetuar për ca kohë pranë këtyre njerëzve.

Pyetje: - Patriarku Sako ka folur për rrezikun e genocidit…

Përgjigje: - Patriaku Sako është në vend e, prandaj i njeh shumë mirë të gjitha aspektet, që mund t’i shpëtojnë vëmendjes sonë. Populli i krishterë i kësaj zone nuk ikën për herë të parë nga trojet e veta, nuk emigron për herë të parë, as nuk është hera e parë, që vuan shumë. Vuajtja e tij nisi një shekull më parë, e vijoi të përsëritet gjatë historisë së këtyre 90 vjetëve të fundit të jetës së Irakut, që kur trojet e vendit u çliruan nga Perandoria Otomane, për t’u bërë shtet i pavarur, si të gjitha vendet tjera të zonës. Mund të themi se është popull, që e ka ende në shpirt gjithë barrën e vuajtjes shekullore. Prej këndej, mund të kuptohet edhe më mirë shprehja e patriarkut.

Pyetje: - Dëshironi t’i drejtoni ndonjë thirrje popullsive, që po shkoni t’i takoni?

Përgjigje: - Para së gjithash, dëshiroj t’u çoj solidaritet e afërsi në lutje, edhe faktikisht. Jam i bindur se edhe Ati i Shenjtë do të më thotë më saktësisht ç’dëshiron t’i them kësaj popullsie, që e ka aq shumë për zemër.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama