HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2014-08-17 13:11:35
A+ A- Printo artikullin



“Të rinj të Azisë, zgjohuni”: kështu Papa Françesku në mbylljen e Ditës Aziatike të Rinisë



Mëse 40 mijë vetë morën pjesë në meshën përfundimtare të Ditës së gjashtë aziatike të Rinisë, kremtuar nga Papa Françesku në sheshin e kështjellës së Haemit, në Korenë e Jugut. E ndjerë dhe e ndjekur me vëmendje të jashtëzakonshme, homelia e Atit të Shenjtë, siç na njofton i dërguari i Radio Vatikanit, Davide Dionisi: RealAudioMP3

“’Lavdia e martirëve ndriçoftë mbi ju!’. Këto fjalë, që janë pjesë e temës së Ditës së gjashtë Aziatike të Rinisë, na ngushëllojnë të gjithëve e na japin forcë. Të rinj të Azisë, ju jeni trashëgimtarë të një dëshmie të madhe, të një qëndrimi të çmueshëm në fenë e Krishtit. Është Ai, drita e botës, Ai, drita e jetës sonë!”
Në Haemi, thirrja e Papës Françesku, dëshmia e tij personale, karizma e miqësisë dhe e mirëkuptimit të thellë, ua fitoi zemrën të rinjve të pranishëm në këtë shenjtërore të “martirit të panjohur” (132 martirët e vrarë këtu nuk njihen), ardhur nga i gjithë kontinenti. Këtu, mesazhi i fuqishëm i së vërtetës së Krishtit e i Ungjillit të Tij kthehet në dritë. Në homelinë e meshës, që mbylli Ditën Aziatike të Rinisë, Ati i Shenjtë u ndal fillimisht në moton e kësaj ngjarjeje: “Rini e Azisë, ngreju!”. E Papa shpjegoi kuptimin e fjalëve të motos, duke filluar nga ‘Azia’:
“Kontinenti aziatik, i mbrujtur me tradita të pasura filozofike dhe fetare, mbetet një horizont i gjerë për dëshminë tuaj në Krishtin, ‘udha, e vërteta e jeta’ (Gjn 14,6). Si të rinj që, jo vetëm jetoni në Azi, por jeni bij e bija të këtij kontinenti të madh, keni të drejtë e detyrë të merrni pjesë plotësisht në jetën e shoqërive tuaja. Mos kini frikë ta çoni dijen e fesë në çdo fushë të jetës shoqërore!”
Të rinjtë aziatikë janë në sintoni të plotë me Ungjillin e Krishtit, vijoi Papa, sepse vetëm në Jezusin, i riu gjen përgjigjet, që ka më për zemër. Si anëtarë të kontinentit, të rinjtë kanë një rol vendimtar në shoqëri, secili sipas ndjeshmërisë dhe kulturës së vet:
“Si aziatikë, nga brenda, ju e shihni dhe e doni gjithçka të bukur, fisnike e të vërtetë në kulturën e në traditën tuaj… Gjithashtu, jeni të aftë të ndani gjithçka përkon me fenë katolike, nga ç’është kundër hirit dikuar mbi ju me anë të Pagëzimit e, [kuptoni edhe] cilat nga aspektet e kulturës bashkohore ju shtyjnë në mëkat, ju korruptojnë e ju çojnë drejt vdekjes”.
Nga sheshi i fortesës, dikur, qendër persekutimi kundër katolikëve të krejt rajonit ChungChong, Ati i Shenjtë e ngriti zërin për t’i zgjuar të rinjtë nga gjumi, duke e theksuar këtë edhe me fjalë jashtë tekstit, me të cilat u tha të pranishmëve se nuk i pëlqejnë të rinjtë, që s’bëjnë tjetër, veçse flenë gjithë jetën. Përkundrazi, i nxiti të impenjohen, të ndërtojnë qytetërimin e vërtetë të dashurisë, një botë të re në paqe e solidaritet, të çlirohen nga format e ndryshme të mëkatit e nga skllavëritë personale e shoqërore. E duke shpjeguar fjalën “rini”, u tha:
“Si të rinj të krishterë, punëtorë, studentë, apo profesionistë; të nisur për rrugën e martesës, apo për atë të jetës rregulltare o meshtarake, ju nuk jeni vetëm pjesë e së ardhmes së Kishës: jeni edhe pjesë e nevojshme dhe e dashur e së tashmes së saj!”
E tashmja dhe e ardhmja do të jenë më të pasura me bukuri e dashuri, theksoi Papa Françesku, nëse të rinjtë, duke e bazuar jetën në Krishtin, do të dinë t’ia japin shoqërisë dhuratën e marrë me fenë e krishterë, do të dinë të frymëzohen nga shenjtëria e guximi profetik i të parëve të tyre martirë:
“Së fundi, pjesa e tretë e temës së kësaj Dite: ‘Ngreju!’(Zgjohu), flet për përgjegjësinë, që ju beson Zoti. Është detyra për të qenë vigjilentë, për të mos lejuar që presionet, tundimet dhe mëkatet, tuajat ose të të tjerëve, ta dobësojnë ndjeshmërinë tuaj për bukurinë e shenjtërisë, për gëzimin e Ungjillit”.
Të fuqishme, edhe fjalët e kryetarit të Bashkimit së Konferencave Ipeshkvnore aziatike, kardinal Oswald Gracias, në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë. Shprehu gjithë dufin e të krishterëve, që shohin një shoqëri të pasur, por pak solidare me të varfërit, pak të rrënjosur në vlerat e vërteta të jetës:
“T’i themi ‘jo’ ekonomisë së mënjanimit, ‘jo’ ekonomisë së egoizmit, ‘jo’ frymës së materializmit. Jo, jo, jo! ‘Po’, takimit personal me Jezusin, ‘Po’ thirrjes së të varfërve, të nevojtarëve, të të vetmuarve e ‘Po’ botës që na pret me padurim”.
Të rinjtë aziatikë erdhën në takimin me Papën Françesku për të kërkuar përgjigje të ndershme e të sinqerta për pyetjet mbi jetën, mbi fenë në Zotin, mbi të ardhmen, përfshirë sfidat e mëdha të kohëve tona. I gjetën në vështrimet, në gjestet e në fjalët e Atit të Shenjtë. Vështrime, gjeste e fjalë, që i rrethuan e morën mbi vete dëshirat e aspiratat e rinisë për të vërtetën, lumturinë, bukurinë e drejtësinë. Deri në takimin e ardhshëm.
Nga Seuli, Davide Dionisi, Radio Vatikani”




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama