HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-24 11:33:36
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e Javës 25-31 gusht



Më 25 gusht përkujtohet Shën Jozef Kalasanci. U lind më 1557 në Spanjë dhe u shugurua meshtar në moshën 26-vjeçare. Pasi mbuloi detyra të ndryshme nëpër dioqezat e vendlindjes, shkoi në Romë, ku, i prekur thellë nga gjendja e mjerueshme e fëmijëve të braktisur, themeloi një urdhër rregulltar për edukimin e të varfërve. Bashkë me rregulltarët e urdhrit të vet, të cilët u quajtën “skolopë”, sepse themeluan shkollat për të varfrit, luftoi me forcë analfabetizmin, injorancën dhe kriminalitetin. Ja çfarë shkruante shenjtori për misionin në fushën e arsimit: “Është mision tej mase i fisëm dhe burim meritash të shumta të përkushtohesh për edukimin e fëmijëve, veçanërisht të të varfërve, për t’i ndihmuar të arrijnë jetën e pasosur. Kush bëhet mësuesi i tyre dhe, me anë të formimit intelektual, punon për t’i edukuar, sidomos në fe dhe në përshpirtëri, kryen kundrejt fëmijëve shërbesën e vetë engjëllit të tyre rojtar dhe ka merita të mëdha për zhvillimin e tyre njerëzor dhe të krishterë”.
Më 26 gusht përkujtohet Zoja e Çestohovës. Thesari më i çmueshëm i Jasna Gorës (Poloni) është Figura e Mrekullueshme e sojës. Jasna Gorën nuk e bëri shenjtëroren më të famshme të Polonisë tradita sipas të cilës shëmbëllimin e Zojës e ka pikturuar ungjilltari Lukë, por fakti se ajo bëri për vete mrekullisht shtegtarë të pafundmë nga mbarë bota.
Më 27 gusht përkujtohet Shën Monika, nëna e Shën Agostinit. U lind në Tagaste (Afrikë) më 332 dhe u njoh me Shkrimin e Shenjtë që në rini të hershme. Mbeti e vejë në moshën 39-vjeçare dhe iu desh të përballonte e vetme jetën e të gjithë familjes. Natën e pashkëve të vitit 387 pati gëzimin të shihte duke u pagëzuar në Milano Agostinin, birin për të cilin ishte lutur për vite të tëra që të bëhej i krishterë. Pas pagëzimit Agostini vendosi të kthehej në Afrikë, për t’iu kushtuar jetës murgare. Në librin e “Rrëfimeve” Agostini flet për bisedat shpirtërore me Shën Monikën, në qetësinë e shëtpisë në Ostia (afër Romës). Ajo që e kishte lindur në jetën e kësaj bote, pasi e lindi të birin edhe për jetën e amshuar, pushoi e lumtur në Zotin më 27 gusht 387.
Më 28 gusht përkujtohet Shën Agostini. U lind në Tagaste, sot Souk-Ahras (Algjeri), më 13 nëntor 354 dhe, pasi e kërkoi dijen e vërtetë duke ndjekur rryma të ndryshme të filozofisë e oratorisë, u njoh në Milano me ipeshkvin e këtij qyteti lombard, Shën Ambrozin, i cili i kumtoi Krishtin dhe e pagëzoi. Pas vdekjes së Shën Monikës, nëna që ishte lutur gjatë e me besim për kthimin e tij në krishtërim, shkoi në Iponë (Afrikë), ku u shugurua meshtar e ipeshkëv. Ushtroi me zell shërbesën baritore dhe la një sërë veprash teologjike e filozofike me vlerë monumentale. Vdiq në Iponën e pushtuar nga vandalët më 28 gusht 430.
Më 29 gusht përkujtohet martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit. Gjoni e vulosi misionin si paraardhës me aktin e dhurimit të jetës. Herodi Antipë, pasi e burgosi në një kështjellë në afërsi të Detit të Vdekur, e dënoi me prerje koke. Përballë Jezusit, që kumtonte lajmin e mirë, ai tha: “Tani gëzimi im është i plotë; ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem”.
Më 30 gusht përkujtohet Shën Pjetri nga Trevi. U lind në shekullin XII në Abruzzo, nga ku u largua për t’i ikur një martese me shkuesi, dhe jetoi në Lacio. Ipeshkvi i Tivolit i dha lejen të predikonte në atë dioqezë, por më vonë u vendos në një luginë në afërsi të Subiaco-s, prej ku nisej për të predikuar nëpër rrethinat e kësaj krahine të Italisë qendrore. Vdiq më 1052 dhe u shpall shenjtor më 1215.
Më 31 gusht është diel, festa e Zotit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama