HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-08-24 14:34:46
A+ A- Printo artikullin



Françesku: feja, lidhje dashurie e besimi në Zotin



Kisha, populli i Hyjit, ka me Hyjin lidhje dashurie e besimi. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke shpjeguar se Jezusi deshi një Kishë, që nuk themelohej më mbi prejardhjen, por mbi fenë. E Françesku e përshkroi figurën e bashkësisë kishtare në ndërtim, si një ngrehinë. Pastaj përshëndeti Ukrainën, në ditën e festës kombëtare, shoqëruar me thirrjen drejtuar popullsive në një situatë tensioni e konflikti, të cilit nuk po i duket fundi.

“Lidhja jonë me Krishtin, ndërton Kishën”. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke nënvizuar se Zoti e ka në mendje figurën e asaj, që do të ndërtojë, figurën e bashkësisë, si ndërtesë. Kështu Papa, që në vijim kujtoi se Jezusi, kur dëgjoi dëshmimin e qartë të fesë nga goja e Simonit, e quajti “shkëmb”. Shprehu edhe dëshirën që ta ndërtonte Kishën pikërisht mbi fenë e tij. Simoni Apostull e dëshmoi besimin e tij në Jezusin si Krisht, Bir i Hyjit të gjallë. Për fenë e tij, nënvizoi Papa, e jo për meritat, Jezusi i tha: “Ti je Pjetër, shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time”. Duke komentuar Ungjillin e së dielës, Françesku nënvizoi:
“Të ndalemi një çast pikërisht mbi këtë pikë, mbi faktin se Jezusi i jep Simonit këtë emër të ri ‘Pjetër’, që në gjuhën e Jezusit tingëllon ‘Kefë’, fjalë që do të thotë ‘shkëmb’. Në Bibël kjo fjalë lidhet me Hyjin. Jezusi e quan kështu Simonin jo për cilësitë e meritat e tij njerëzore, por për fenë e tij të vërtetë e të patundur, që i vjen nga lart”.
Françesku pohoi se Jezusi ndjen në zemër një gëzim të madh, sepse shikon në Simonin, dorën e Atit, hirin e Shpirtit Shenjt. Shikon se Hyji Atë i dha Simonit një fe të besueshme, mbi të cilën Ai, Jezusi, do të mund ta ndërtonte Kishën e Tij, domethënë, bashkësinë:
Jezusi dëshiron t’i japë jetë Kishës ‘së Tij’, një populli, që nuk bazohet mbi prejardhjen, por mbi fenë, domethënë, mbi lidhjen me atë vetë. Lidhje dashurie e besimi. E për ta nisur Kishën e vet, Jezusi ka nevojë të gjejë në zemrën e dishepujve një fe të patundur, 'të besueshme'. Pikërisht këtë duhet të verifikojë në këtë pikë të udhës”.
“Po sot? Për çka ka nevojë Jezusi?”:
Vëllezër e motra, ajo që i ndodhi në mënyrë të pashoqe Shën Pjetrit, i ndodh edhe çdo të krishteri, që fiton pjekurinë në një fe të sinqertë në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit të gjallë. Ungjilli i sotëm na drejtohet edhe ne të gjithëve. Nëse Zoti gjen në zemrën tonë një fe, nuk po them të përkryer, por të sinqertë, të vërtetë, atëherë Ai shikon edhe në ne gurët e gjallë, me të cilët mund të ndërtojë bashkësinë e tij, domethënë, ne të gjithë. Të gjithë ne”.
E Françesku shtoi, jashtë teksti, duke iu drejtuar besimtarëve të pranishëm:
Si shkon feja jote? Secili ta japë përgjigjen në zemër të vet, eh? Si shkon feja jote? Si është? Çfarë gjen Zoti në zemrat tona: e kemi zemrën të fortë, si guri, apo si rëra, domethënë, besëpakë, dyshimtare, të lëkundur? Do të na bëjë mirë sot ta mendojmë këtë”.
Në këtë bashkësi, nënvizoi Françesku, guri i themelit është Krishti, gur këndi, i vetmi. Pastaj është Pjetri, për të cilin Papa Françesku kujtoi:
“Pjetri është shkëmb, sepse themel i dukshëm i unitetit të Kishës”.
Më pas Papa iu drejtua gjithë të pagëzuarve:
Por gjithë të pagëzuarit janë të thirrur t’ia ofrojnë Jezusit fenë e tyre, të varfër, por të sinqertë, që Ai të mund të vijojë ta ndërtojë Kishën e tij, sot, në të katër anët e botës”.
Edhe në ditët tona, pohoi Papa, njerëzit mendojnë se Jezusi është profet i madh, mësues i dijes, model i drejtësisë. E edhe sot Jezusi vijon t’i pyesë dishepujt e vet: “Po ju, kush thoni se jam unë?”. Prej këndej, pyetja e Papës:
“Ç’përgjigje do t’i japim? Ta mendojmë. Por sidomos, ta lusim Hyjin Atë që të na e japë përgjigjen. Me ndërmjetësimin e ‘Krishtit, Birit të Hyjit të gjallë!”.
Papa nënvizoi rëndësinë e dëshmimit të fesë, duke u kërkuar të gjithëve ta përsërisin bashkë me të, tri herë.
Pas lutjes mariane, mendimi i Papës shkoi në Ukrainën e dashur:
“Tek të gjithë bijët e bijat e saj, tek dëshirat e tyre për paqe e qetësi, kërcënuar nga një situatë tensioni e konflikti, që nuk do të paqëtohet, duke shkaktuar shumë vuajtje në gjirin e popullsive civile. T’ia besojmë Zotit Jezus e Zojës së Bekuar mbarë Kombin e të lutemi së bashku, posaçërisht për viktimat, familjet e tyre e të gjithë ata që vuajnë”.
Papa Françesku pohoi se ka marrë një letër nga njëri prej ipeshkvijve të Ukrainës, që flet shumë për dhimbjen e thellë të njerëzve në këtë vend të munduar. Pastaj, një mori përshëndetjesh, drejtuar grupeve të ndryshme, besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një qiell, që të kujton më shumë vjeshtën sesa verën.
Të gjithëve, urimi i Papës: “Të diel të gëzuar e drekën e mirë!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama