HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2014-08-24 14:34:56
A+ A- Printo artikullin



Papa Mitingut të Riminit: Kisha në dalje, e vetmja mundësi për Ungjillin



Nuk duhet humbur kurrë lidhja me realitetin, me syrin e ngulur gjithnjë mbi themeloren. Janë këto, dy pikat kyçe rreth të cilave vërtitet mesazhi i Papës Françesku, drejtuar Mitingut për miqësinë e popujve, që nisi sot në Rimini. Në dokumentin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa falënderon organizatorët e takimit për zgjedhjen e temës “Drejt periferive të botës e të jetës” dhe ripohon se “Kisha në dalje, është e vetmja mundësi për Ungjillin”.
Duhet punuar për rikthimin e themelores, që është Ungjilli i Jezu Krishtit. Për këtë i nxit Papa pjesëmarrësit në Miting, duke nënvizuar dy porosi të posaçme. Mbi të gjitha, shkruan, nuk duhet humbur kurrë lidhja me realitetin, madje, duhet të jemi dashuronjës të tij. Në mesazh Papa citon don Giussani-n dhe pohon se i vetmi kusht për të qenë përherë e me të vërtetë njerëz të fesë, është ta jetosh gjithnjë thellësisht realitetin. Aq më tepër, kur jetohet në gjirin e një kulture sunduese, që vë në plan të parë pamjen e jashtme, gjë që tregon sa e cekët edhe e përkohshme është.
Françesku i fton të gjithë t’ia ngulin fort sytë asaj, që është themelore. Problemet më të rënda, vijon, lindin kur mesazhi i krishterë njëjtësohet me aspekte të dorës së dytë, që nuk e shprehin zemrën e kumtimit. E kjo, edhe pse Jezusi është bërë rishtas i panjohur në shumë vende perëndimore. Prandaj, vijon mesazhi, një botë që ndryshon kaq vrullshëm, kërkon që të krishterët të jenë të gatshëm të kërkojnë forma ose mënyra të reja, për ta komunikuar me një gjuhë të kuptueshme risinë e përhershme të krishterimit.
Edhe në këtë drejtim, kujton, duhet të jemi realistë.
Papa falënderon organizatorët e Mitingut për temën e zgjedhur dhe pohon se Kisha në dalje është e vetmja mundësi, sipas Ungjillit, gjë që e dëshmon vetë jeta e Jezusit, i cili shkonte fshat më fshat duke kumtuar Mbretërinë e Hyjit. I krishteri, vijon, nuk ka frikë të largohet nga qendra e të niset drejt periferive, sepse qendra e tij është gjithnjë Jezu Krishti. Vetëm kështu mund të mposhtet rreziku që edhe të krishterët të jetojnë të zhytur në trishtim individualist, të izoluar, krejt vetëm, edhe në mes të gjitha të mirave të konsumit, nga të cilat shumëkush mbetet gjithnjë i përjashtuar.Sivjet në Miting marrin pjesë edhe shumë nga ata, që po i jetojnë tragjeditë e botës bashkëkohore: ipeshkvij, politikanë, intelektualë, të ardhur nga zonat e nxehta të Planetit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama