HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2014-08-25 15:11:52
A+ A- Printo artikullin



Patriarku Sako: të krishterët irakianë vazhdojnë të vdesin



“Shkova për vizitë në kampet e refugjatëve në Erbil e Dohok e ajo që pashë e dëgjova ia kalon edhe imagjinatës më të skajshme!”. Këto janë fjalët e Patriarkut kaldeas Louis Raphael I Sako, në një thirrje botuar nga agjencia AsiaNews, me të cilën kujton se akoma nuk janë gjetur zgjidhje konkrete për krizën, ndërsa vazhdon pa pushim fluksi i parave, armëve e mercenarëve për Shtetin Islamik. Të krishterët, denoncon Patriarku, janë goditur në zemrën e jetës së tyre, janë zhveshur nga çdo pasuri e madje, edhe nga dokumentet.
Jemi përpara një fushate, që synon zhdukjen e të krishterëve dhe të pakicave të tjera në Irak e bota, akoma nuk e ka kuptuar rëndësinë e saj. Sipas Patriarkut, ka filluar faza e dytë e operacionit: emigracioni i familjeve të krishtera në anë të ndryshme të botës, duke zhdukur kështu historinë, trashëgiminë dhe indentitetin e këtij populli. Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Irakiane shpjegon se fenomeni i emigracionit ka të bëjë jo vetëm me të krishterët, por edhe me myslimanët, të cilët po humbasin një përmasë të pazëvendësueshme të shoqërisë. Ai e ngre zërin kundër bashkësisë ndërkombëtare, sidomos kundër SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, të cilët, pavarësisht se e kuptojnë nevojën e një zgjidhjeje të shpejtë, nuk marrin masa konkrete për ta gjetur.
Imzot Sako nuk i kursen kritikat edhe për bashkësinë myslimane, deklaratat e dobëta të së cilës për “barbaritë” e xhihadistëve, në emër të fesë islamike, nuk arritën të garantojnë respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të të krishterëve. “Fundamentalizmi fetar – paralajmëron Patriarku – vazhdon të rritet në forcë e pushtet, duke shkaktuar tragjedi, ndërsa ne të krishterët pyesim veten me çudi pse krerët dhe intelektualët myslimanë nuk e kuptojnë sa i rëndë është problemi”. Në Irak duhet promovuar një kulturë takimi e respekti, para së cilës, të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta, shton imzot Sako.
Heshtja e pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare, denoncon akoma Patriarku kaldeas, do t’i inkurajojnë xhihadistët të shkaktojnë tragjedi të tjera. Ai i bën thirrje Kishës në mbarë botën të bashkohet me të krishterët irakianë jo vetëm me deklarata të vazhdueshme, por me një prani si ajo e të dërguarit të Papës Françesku, apo si prania e Patriarkëve.
Burime për Patriarkatin kaldeas flasin për një persekutim në vijim të xhihadistëve kundër civilëve irakianë. Në Baghdida, një nga qytetet e Rrafshit të Ninives, elementë të Shtetit Islamik kanë marrë peng një vajzë, që sapo i ka mbushur tre vjetët dhe e kanë detyruar familjen të largohet nga shtëpia. Burime të krishtera nga qyteti Bashiqa, në veri të Mosulit, tregojnë se janë gjetur kufomat e dy të krishterëve, babë e bir shurdhmemecë, vdekur nga uria brenda shtëpisë së tyre, vetëm se nuk kanë dashur të largohen nga qyteti, prej tri javësh, në duart e xhihadistëve. E këto, madje, nuk janë rastet më ekstreme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama