2006-09-23 17:27:37

Të hënën në audiencë tek Papa ambasadorët e vendeve me shumicë mysimane për rifillimin e dialogut me Islamin.


(24.9.2006 RV)Gjatë gjithë javës së kaluar në qendër të vëmendjes së opinionit botëror vijoi të ishte reagimi i botës islamike kundër fjalëve të shqiptuara nga Papa në Regensburg gjatë shtegtimit të tij apostolik në Bavari e sidomos, shpjegimi i Atit të Shenjtë i cili, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, foli përsëri me nderim e respekt për Islamin dhe kërkoi ndërtimin e një dialogu të arsyeshëm e autokritik, pa dhunë.
Duke folur për leksionin e mbajtur në Universitetin e tij të vjetër kushtuar lidhjeve të fesë me arsyen, Benedikti XVI kujtoi se preku edhe nyjën e lidhjes ndërmjet fesë e dhunës, përmes citimit tashmë të njohur të dialogut islamo-kristian të shekullit XV, protagonist i të cilit është perandori bizantin Manueli II Paleolog:
“Ky citim, mjerisht, shërbeu për lindjen e një keqkuptimi. Për lexuesin e vëmendshëm të tekstit tim, është e qartë se unë nuk desha në asnjë mënyrë të bëj të miat fjalët negative, shqiptuar nga perandori mesjetar në këtë dialog e se përmbajtja e tyre polemike nuk shpreh bindjet e mia personale… Duke u nisur nga ajo që Manueli II e thotë më pas në mënyrë pozitive…desha të shpjegoj se nuk janë feja e dhuna që shkojnë krahpërkrah, por feja e arsyeja”.
Mendova të flas për marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe arsyes – vërejti në vijim Papa – në përkim me rrethanat, dmth me misionin e Universitetit, e jo i shtyrë nga ndonjë qëllim tjetër:
“Desha të bëj ftesë për dialogun e fesë së krishterë me botën moderne e për dialogun e të gjitha kulturave e feve. Shpresoj se në raste të ndryshme të vizitës sime – për shembull, kur në Munih nënvizova sesa rëndësi ka të respektosh atë që është e shenjtë për të tjerët – u duk qartë respekti i thellë për fetë e mëdha dhe, në veçanti, për myslimanët, që adhurojnë një Zot të vetëm e me të cilët impenjohemi të mbrojmë e të promovojmë së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen e lirinë”.
Këtë ftesë për dialog, që e bëri nga Universiteti i Regensburgut, Papa e përsëriti me forcë ndërmjet shtyllave të Berninit, duke përfunduar me besimin se:
“… pas reagimeve të çastit të parë, fjalët e mia në Universitetin e Regensburgut mund të shërbejnë si shtytje e inkurajim për një dialog pozitiv, edhe autokritik, si ndërmjet feve, ashtu edhe ndërmjet arsyes moderne e fesë së të krishterëve”.
Ndërkaq reagimet e dhunshme patën si pasojë edhe humbjen e jetës së rregulltares katolike, Leonela Sgorbatit, vrarë të dielën e kaluar në Somali.
Papa Benedikti XVI shprehu dhimbjen për vdekjen e motër Leonelës dhe uroi që mbi gjakun e rregulltares të lulëzojë vëllazëria e vërtetë ndërmjet popujve, në atmosferën e respektit reciprok të bindjeve fetare të secilit.
As thirrjet e Papës e as ato të organizatave të shumta humanitare, nuk mjaftuan për ta ndaluar dorën vrasëse: të enjten e kaluar, në aeroportin e Palusë, në Indonezi u zbatua vendimi i dënimit me pushkatim të Fabianus Tibo, Marinus Rivu dhe Domingus da Silva, tre katolikëve të akuzuar për nxitjen e dhunës gjatë ndeshjeve ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, të cilat tronditën thellë ishullin në vitin 2000.
“Çdo dënim me vdekje që zbatohet, është disfatë për njerëzimin”: ky është komenti i hidhur i Drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardit për lajmin e vrasjes së tre katolikëve indonezianë. Për ta Papa pati kërkuar zbutjen e dënimit më 11 gushtin e kaluar, kërkesë që nënvizon refuzimin e plotë të dënimit me vdekje nga ana e Kishës katolike.
E pavarësisht nga thirrjet e ipeshkvijve për qetësi, ekzekutimi i tre të krishterëve ka shkaktuar një valë të re protestash, që kanë pasur si pasojë plagosjen e shumë njerëzve dhe dëmtimin e disa stacioneve të policisë ndërmjet lindjes dhe përendimit të ishullit Timor.
Po kujtojmë vetëm disa nga reagimet ndaj fjalëve të Papës gjatë javës së kaluar:
Ipeshkvijtë italianë i shprehën Papës afërsinë dhe solidaritetin e tyre, pas manifestimeve kundërshtare dhe kërcënimeve që i janë bërë këto ditë nga bota islamike për fjalimin e mbajtur në Regensburg.
Primati i bashkimit anglikan, kryeipeshkvi i Kanterbërit, Rovan Villiams, e vlerësoi fjalimin e Papës në Regenbsburg si shumë pozitiv në perspektivën e dialogut.
Presidenti iranian Ahmadinexhad pranoi se fjalët e Papës janë keqinterpretuar dhe pohoi se e respekton Benediktin XVI.
Në Kampidolio, në Romë u organizua një takim ndërfetar, në të cilin ishin të pranishëm kardinali Pol Pupard, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Kryerabini i Romës Rikardo Di Senji dhe Imami i Xhamisë së Romës, Sami Salemi.
Iraniania Shirin Ebadi, Çmim Nobel për Paqen, gjatë paraqitjes në Romë të librit “Irani im”, falënderoi Shenjtërinë e Tij sepse e shpjegoi kuptimin e fjalëve dhe sqaroi se nuk e kishte ndër mend të fyente Profetin Muhamet, duke shtuar se shpreson që çështja të përfundojë me kaq.
E ndërsa flitet për reagimet e botës islamike, shumkush është çuditur nga heshtja e intelektualëve të kombeve demokratike, të cilët gjejnë tek katolicizmi e tek krishterimi, një nga elementet themelore të qytetërimit të tyre. Prandaj mendohet se bota perëndimore duhet t’i kushtojë fjalimit të Papës një vëmendje shumë më e madhe se ajo që i ka kushtuar deri tani.
Kujtojmë se më se një miliard myslimanë filluan edhe Ramazanin, muaj i agjërimit e i lutjes, që sivjet kremtohet në atmosferën e helmatisur të polemikës së ashpër, që nuk ka përfunduar akoma, me gjithë deklaratat e Benediktit XVI, të konfliktit të kohëve të fundit në Liban e të atij pafund në Irak.
Ky Ramazan i vitit 1427, vit i Egjirës, që në vende të ndryshme nisi ndërmjet së shtunës e së dielës, sipas dukjes së drapërit hënor, u parapri dje nga “Dita e zemrimit pa dhunë” kundër fjalëve të Papës, ndërsa ka ende nga ata që presin nga Benedikti XVI të kërkojë zyrtarisht falje.
E nesër, më 25 shtator, në orën 11. 45 – sipas një Komunikate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI do të presë në Kastel Gandolfo kardinalin Pol Pupard, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe disa përfaqësues të bashkësive myslimane në Itali.
Në takim janë ftuar të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane, të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të cilët po i përgjigjen pozitivisht ftesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.