Xhorxh Bush në Hanoi për samitin e Apekut në shenjë të tregut e të shtimit bërthamor.
(17.11.06.RV)Sapo arriti në Hanoi të Vietnamit, në mbledhjen e Apekut (shoqatës
që rregullon marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Azisë Juglindore dhe Paqësorit),
presidenti amerikan Xhorxh Bush bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj Irakut. “Do të
fitojmë nëse nuk largohemi”, pohoi ai duket shtuar se SHBA kanë nxjerrë mësim nga
lufta në Vietnam, e kësaj radhe nuk do të largohen nga Iraku. “Ne kemi prirjen që
të fitojmë menjëherë, por përmbushja e detyrës në Irak kërkon më tepër kohë”. Sipas
presidentit Bush, trupat amerikane duhet të qëndrojnë në vend për një periudhë më
të gjatë. Ndërsa Bush ndodhet në Vietnam, senati amerikan miratoi marrëveshjen
e bashkëpunimit bërthamor me Indinë, për të cilën patën folur marsin e kaluar, vetë
presidenti amerikan dhe kryeministri indian Sing. Marrëveshja kritikohet, pasi me
furnizimet bërthamore që SHBA do t’i japin Indisë, kjo e fundit mund të ndërtojë më
shumë bomba atomike, me rrezikun që të fillojë një garë armatimesh me Pakistanin dhe
Kinën.
Në Irak një firmë e Kuvajtit u sulmua në afërsi të Nasirijes.
14 persona u rrëmbyen, por më vonë u liruan përveç 4 amerikanëve dhe një austriaku,
që punonin për firmën. Nga ana tjetër, Ministria e brendshme Irakiane ka lëshuar një
mandat-arresti për Harit al-Darin, kreun e njërës prej shoqatave kryesore fetare sunite,
Këshillit të ulemave myslimanë. Akuzohet për nxitje drejt dhunës dhe terrorizmit.
Vendi rrezikon që edhe sunitët e moderuar t’i kundërvihen qeverisë. Anëtarë
të sigurimit hollandez kanë torturuar të burgosur irakianë, duke përdorur metoda si
privacioni nga gjumi, eskpozimi i zgjatur nën drita verbuese dhe zhurma shurdhuese.
Ngjarjet kanë ndodhur në vitin 2003 e tani vendi pyet pse është lënë në heshtje çështja
e personat nuk janë çuar në gjyq. Misioni hollandez në Irak përfundoi majin e kaluar
me tërheqjen e 1.500 ushtarëve.
Me një sulm ajror, izraelitët shkatërruan
gjatë natës së kaluar në Rripin e Gazës, 4 ndërtesa të Hamasit dhe Xhihadit islamik.
4 civilë kanë mbetur të plagosur, megjithëse kësaj radhe izraelitët i kanë njoftuar
me telefonata rezidentët e zonës, pak para sulmit.
SHBA duhet ta heqin
Iranin nga “boshti i së keqes” nëse duan që Teherani të shohë mundësinë e hapjes së
dialogut me Uashingtonin përsa i përket Irakut. Deklarata është e ish-presidentit
iranian Rafsanjani, i cili iu referuar planit të mundshëm të komisionit amerikan Bejker,
që parashikon përfshirjen e Iranit e të Sirisë në zgjidhjen e situatës në Irak.
Kandidati
për president i socialistëve francezë është femër. Quhet Segolen Rojal dhe është
gruaja e parë kandidate për presidencën e Republikës së Francës. Emri i saj doli nga
zgjedhjet preliminare të djeshme në parti dhe do të sfidojë presidentin aktual Zhak
Shirak në zgjedhjet presidenciale franceze, që do të mbahen më 22 prill 2007.