2007-02-26 17:15:25

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët t’i jetojnë Krezhmët duke shikuar Krishtin e vdekur në Kryq për ne, që na ndjek kudo me vështrimin e tij mëshirëplotë.


(26.02.2007 RV)Ky është programi që Benedikti XVI u propozoi besimtarëve në të Dielën e parë të Krezhmëve. Të shumtë shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, ndonëse dita ishte e ngrysur, plot me re.
Papa i ftoi besimtarët ta jetojnë Kohën e Krezhmëve me frymë të re shpirtërore, duke iu përgjigjur me bujari e gëzim thirrjes së Zotit, që vdiq në Kryq për ne. E kjo mund të bëhet realitet në se na zgjohet në shpirt dëshira e lutjes, e pendesës, e kthimit në rrugën e Zotit, që të ndihmojnë t’i mundësh joshjet e Tunduesit e të gjesh në jetën e përditshme, rrugën e re të lirisë, larg skllavërisë së mëkatit e të vdekjes. Por për ta ndjekur këtë rrugë çlirimi – pohoi Papa duke kujtuar Mesazhin e tij të Krezhmëve, duhet rijetuar përvoja e Shën Gjonit, nxënësit të dashur i cili, së bashku me Zojën e Bekuar, Nënën e Krishtit dhe gratë e tjera, pa me sy të vet mbi Kalvar sesi shporohej me heshtë kraharori i Jezusit, prej nga doli gjak e ujë:
“Ky gjest që kreu një ushtar i panjohur romak, i paracaktuar të shuhej në harresë, mbeti i ngulitur në sytë e në zemrën e Apostullit aq, sa ai e ripropozoi në Ungjillin e tij. Sa kthime në rrugën e Zotit u vërtetuan gjatë shekujve pikërisht falë mesazhit të dashurisë që i flet atij, i cili ia ngul sytë Krishtit të kryqëzuar!” – tha Papa dhe në vijim kujtoi Enciklikën e tij “Deus caritas est”, në të cilën nënvizon se e vërteta themelore ‘Zoti është dashuri’, mund të njihet e të kundrohet vetëm duke ia ngulur sytë Jezusit të vdekur në Kryq për ne.
“I nisur nga ky kundrim, i krishteri gjen rrugën e jetës e të dashurisë së tij. Duke kundruar të Kryqëzuarin me sytë e fesë, mund të kuptojmë thellësisht ç’është mëkati, sa tragjike është pesha e tij e, njëkohësisht, sa e pamasë është fuqia e faljes dhe e mëshirës së Zotit”.
Gjatë këtyre ditëve të Krezhmëve - shtoi Papa - duhet ta kemi gjithnjë në zemër këtë mister me humanitet të thellë e përshpirtëri të lartë.
“Duke shikuar Krishtin, e ndjejmë se edhe ai na shikon ne. Ai, që ne vetë e shporuam me fajet tona, vijon të ndikojë mbi botë, pa u lodhur kurrë, një përrua dashurie përdëllyese. Uroj – tha Ati i Shenjtë - që njerëzimi ta kuptojë se vetëm në këtë burim mund të thithet energjia e domosdoshme shpirtërore për të ndërtuar paqen e lumturinë që njeriu s’pushon kurrë s’e kërkuari”.
Në përfundim Benedikti XVI ia besoi rrugën krezhmore Virgjërës Mari, që u shporua në shpirt te këmbët e Kryqit të të Birit. Asaj ia besoi edhe javën e ushtrimeve shpirtërore, që filloi dje në Vatikan në praninë e Papës dhe të bashkëpunëtorëve të tij të Kuries Romake:“Të dashur vëllezër e motra, ju ftoj të na shoqëroni me lutjen tuaj, në sa edhe unë do të lutem për ju në heshtjen e kundrimit, duke kërkuar ndikimin e pushtetit hyjnor mbi ju, mbi familjet tuaja e mbi bashkësitë tuaja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.