2007-04-13 17:30:20

Austria punon me Serbinë për një alternativë ndaj planit të Ahtisarit.


(13.04.07 RV)Kancelari austriak Alfred Gusenbauer po punon me Serbinë për të hartuar një projektplan që do t’i japë Kosovës pavarësinë në një mënyrë që t’i pëlqejë Beogradit.
Gusenbauer, në një intervistë për agjensinë britanike të lajmeve REUTERS, vë në dukje se serbët nuk mund ta pranojnë planin e Ahtisarit ashtu siç është. “Qëllimi nuk mund të jetë përulja e Serbisë – thekson ai – është e nevojshme një marrëveshje nga e cila si Serbia, ashtu edhe Kosova të dalin me kokën lart”.
Ravijëzohet një status i posaçëm për veriun e Kosovës, në të cilin shumica e popullsisë është serbe. Kancelari austriak sjell shembullin e krahinës autonome në kufirin ndërmjet Italisë dhe Austrisë, e njohur në Itali me emrin Alto Adixhe, ndërsa në Austri, si Tiroli i Jugut. Popullsia është kryesisht gjermanofone, me Austrinë si shtet garant. Provinca ka një statut të veçantë, të njohur nga të dyja vendet, sipas të cilit zgjedh vetë të gjitha postet administrative, pa ndërhyrje nga Roma, një element që i mungon planit të Ahtisarit për zonat serbe në Kosovë. Problemi është se Beogradi e ka përdorur modelin e Alto Adixhes si opcion për vetë Kosovën, që duhet të mbetet pjesë e Serbisë, e jo për pjesën veriore të saj.
Ndërkaq, analistë amerikanë mendojnë se pjesa veriore e Kosovës po shkon drejt shkëputjes nga Prishtina. E kjo do të ndodhë si në rastin e miratimit të planit të Ahtisarit, ashtu edhe në rastin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga ana e Kosovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.