2007-05-17 17:19:26

Pranë kaosit situata në Gazë


(17.05.07 RV)RealAudioMP3 Në Territoret Palestineze është shpallur një armëpushim i ri i njëanshëm nga Hamasi. Presidenti Abu Mazen, lider i partisë së moderuar Al Fatah dhe kryeministri Ismail Hanijeh, lider i formacionit radikal Hamas u kanë dhënë urdhër njerëzve të tyre të ndalojnë luftimet. Por dhuna vazhdon. Janë qëlluar edhe shtëpi izraelite në Sderot, gjë që ka shkaktuar evakuimin e popullsisë. Si përgjigje, Izraeli ka bombarduar sot zyrën e Hamasit në Gaza, duke vrarë dy persona e duke plagosur 20 të tjerë. Hamasi është betuar të marrë hak e ka paralajmëruar se kamikazet janë gati për sulme kundër Izraelit. Cilat janë motivet e kësaj dhune të re? Në mikrofonin tonë, gazetari i së përditshmes kishtare italiane “Avvenire”, Xhorxho Bernardeli, ekspert i Lindjes së Mesme:
Gaza është një territor prej 360 kilometrash katrorë, në të cilin jetojnë një milion e 400 mijë vetë. Në asnjë vend të botës nuk ekziston një zonë me këto karakteristika, që të mbahet në këmbë vetë. Fatkeqësisht, në situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të këtyre ndeshjeve, për të cilat dikush i fryn zjarrit, izolimi e shumëfishon mungesën e kontrollit. Nganjëherë janë ndeshje ndërmjet bandave, që i japin vetes ngjyrime politike.
Fakti që qeveria palestineze ndodhet larg Gazës, nuk i lejon të ruajë kontrollin mbi të?
Edhe në situatën e përditshme në Gazë, pesha e Abu Mazenit në krahasim me milicët e al Fatahut është mjaft relative. Pak ditë më parë, janë takuar Abu Mazen, kryeministri izraelit Olmert dhe sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs. Sipas gazetës izraelite “Haretz”, Rajs u paraqit me një plan që parashikonte dy gjëra: fundin e izolimit të Gazës, duke aktivizuar atë sistem karvanesh që do të lidhnin Gazën me pjesën tjetër të Jordanisë, sistem i miratuar një vit e gjysëm më parë, por që s’është realizuar kurrë, dhe, nga ana tjetër, çështjen e kontrollit të raketave Kasam kundër Izraelit, sepse kjo është faqja tjetër e medaljes në krizën e Gazës së këtyre orëve: një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar. Unë besoj se e vetmja rrugë për të dalë nga ky shteg i verbër në të cilin ka hyrë Gaza, është një inciativë e fuqishme ndërkombëtare që ta vendosë në qendër të vëmendjes këtë cep të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.