Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa na fton të mos e ngjitim zemrën pas pasurisë,
sepse thesari i vërtetë është Krishti.
(06.08.2007 RV)Pasuria nuk e shpëton
njeriun: madje, në se nuk ndahet me të tjerët, e vë në rrezik shëlbimin. Këtë theksoi
dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, në një ditë
verore plot diell. Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos sundohen nga egoizmi e nga
lakmia. Kujtoi më pas Palin VI, në 29 vjetorin e vdekjes si dhe patrikun Teoktist
të Kishës ortodokse rumune, inkurajues i madh i ekumenzimit, që ndërroi jetë pak ditë
më parë. Duke u nisur nga leximet biblike të së Dielës XVIII të Kohës së zakonshme
gjatë vitit kishtar, Papa kujtoi se besimtari nuk duhet t’i mbajë vetëm për vete të
mirat materiale, por duhet t’i ndajë edhe me të tjerët, posaçërisht me të varfërit:
“Pasuria, ndonëse gjë e mirë në vetvete, nuk duhet shikuar si e mirë absolute.
Duhet të mendojmë, sidomos, se nuk na e siguron shëlbimin, madje edhe mund ta rrezikojë
seriozisht”. E pikërisht nga ky rrezik përpiqet t’i largojë Krishti nxënësit
e vet: “Është urti e virtyt të mos e ngjitësh zemrën pas të mirave të kësaj
bote, sepse gjithçka kalon, gjithçka mund të përfundojë papritur e pa u kujtuar. Thesari
që duhet të kërkojmë papushim ne, të krishterët, gjindet ‘atje lart, ku Krishti rri
ndejë në të djathën e Atit”. E pikërisht për t’i lartuar sytë nga qielli -
shtoi Papa – na fton Solemniteti i të Shndërruemit të Jezu Krishtit, që e kremtojmë
sot. Në rrëfimin ungjillor të të Shndërruemit mbi mal, na jepet një shenjë paralajmëruese,
që na krijon mundësinë të hedhim një shikim të shpejtë në mbretërinë e shenjtorëve
ku edhe ne, në mbarim të shtegtimit tonë tokësor, mund të marrim pjesë në lumninë
e Krishtit, lumni e plotë, e përkryer e përfundimtare. Atëherë – pohoi Benedikti XVI
– gjithë universi do të shndërrohet e do të përmbushet më në fund plani hyjnor i shëlbimit.
Më pas Papa kujtoi se pikërisht në solemnitetin e ‘Të Shndërruemit të Zotit’, në vitin
1978, Pali VI u thirr për të hyrë në shtëpinë e Atit qiellor: “Kujtimi i tij
qoftë ftesë për të shikuar drejt qiellit e për t’i shërbyer besnikërisht Zotit e Kishës,
ashtu si bëri ai në vitet jo të lehta të shekullit të kaluar”- tha Benedikti
XVI dhe në vijim i lartoi lutjen Virgjërës Mari, të cilën dje Kisha e kremtoi posaçërisht
në festën e Zojës së Dëborës, që na kujton kohën e largët, kur nisi ndërtimi i bazilikës
romake të Shën Marisë së Madhe. “Virgjëra, e cila më shumë se çdo krijesë tjetër
mori pjesë në misterin e Krishtit, na ndihmoftë në shtegtimin tonë të fesë me qëllim
që, siç na fton të lutemi liturgjia e sotme - duke u përpjekur me të gjitha forcat
ta nënshtrojmë tokën, të mos lejojmë të sundohemi nga lakmia e egoizmi, por të kërkojmë
gjithnjë atë që vlen para syve të Zotit”. Së fundi mendimi i Papës shkoi tek
barinjtë dhe besimtarët e Kishës ortodokse rumune, pak ditë pas vdekjes së patrikut
Teoktist. Në salikimet solemne, që u kremtuan të premten e kaluar në katedralen patriarkale
të Bukureshtit, Benedikti XVI dërgoi si përfaqësues të tij, kardinalin Valter Kasper,
kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në krye të një
delegacioni: “Dëshiroj të kujtoj me nderim e dashuri figurën fisnike të këtij
bariu, që e deshi Kishën e vet e dha një ndihmesë shumë pozitive në marrëdhëniet ndërmjet
katolikëve e ortodoksëve, duke e inkurajuar vazhdimisht komisionin e përbërë ndërkombëtar
për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse”. Dëshmi
e qartë e impenjmit të tij ekumenik – vijoi Ati i Shenjtë – janë edhe dy vizitat e
shkëmbyera ndërmjet Papës Gjon Pali II në Rumani, më 1999, dhe Fortlumturisë së Tij,
Teoktist, në Romë, më 2002, vizita që do të mbeten në kujtesën e të dyja Kishave si
dhuratë e hirit hyjnor. Benedikti XVI shprehu besimin se duke ecur në gjurmët e tyre,
të dyja Kishat do të shkruajnë një faqe të re në historinë e të dy bashkësive, faqen
e kapërcimit të përçarjeve dhe të bashkimit të të gjithë ndjekësve të Krishtit.“I
përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Kështu – tha Benedikti XVI – tradita liturgjike
ortodokse i përfundon salikimet e atyre që flejnë në Tënzonë. Ta bëjmë tonën këtë
lutje – përfundoi Ati i Shenjtë – duke i kërkuar Zotit ta pranojë Vëllaun tonë
në mbretërinë e tij të dritës së pambaruar e t’i japë pushimin e pasosur e paqen,
të cilën ua ka premtuar atyre që i shërbejnë Ungjillit”.