2007-08-18 14:03:51

Kremtimi i solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ në botë.


(19.08.2007 RV)Gjithë java e kaluar u përshkua nga meditimet mbi solemnitetin e madh, që bie në zemër të gushtit: “Të ngjiturit e Zojës në Qiell’. Festa u kremtua në të gjitha Kishat katolike të botës, duke filluar nga Kastel Gandolfo:
Kastel Gandolfo:
“E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët”: këtë theksoi Papa , duke cituar Shën Agostinin, gjatë Meshës së kryesuar prej tij në famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo, në Solemnitetin e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’. Benedikti XVI pohoi se festa e madhe e Zojës na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës. Më pas, në lutjen e Engjëllit të Tënzot në mesditë, Papa i drejtoi përshëndetjen e tij të rinjve pjesëmarrës të shtegtimit në Shenjtëroren mariane Mariacel në Austri, ku do të shkojë më 8 shtatorin e ardhshëm.
Romë:
Natën e festës në Bazilikën patriarkale të Shën Marisë së Madhe në Romë, u kremtua lutja përgatitore, me oficen e leximeve dhe Meshën Shenjte, kryesuar nga imzot Franko Gualdrini, ipeshkëv nderi i Terni-Narni-Amelias, koordinuar nga Qendra ‘Maria, Nënë e Kishës’ e gjallëruar nga rregulltaret ‘Bijat e Kishës”.
Më pas shtegtarët romakë u nisën në këmbë drejt Shenjtërores së njohur mariane të ‘Dashurisë Hyjnore’, duke u përgatitur kështu, në shtegtim, për festën e madhe të ‘Të Ngjiturit të Marisë në qiell’. Proçesionit, që nisi udhën në mesnatë, i priu Zoja e mrekullueshme e Dashurisë Hyjnore, e vendosur në një karrocë, mbuluar me lule. Gjatë shtegtimit besimtarët u lutën për paqen dhe sigurinë e njerëzimit, për të sëmurët, për njerëzit e braktisur e të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Sapo arritën në Shenjtërore, më 15 gusht, rreth orës 5 të mëngjesit, shtegtarët morën pjesë në Meshën solemne të festës.
Paris
Nata e Festës të ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ u kremtua në mënyrë krejt të veçantë në Paris: rreth 4 mijë shtegtarë nisën lundrimin në lumin Senë, mbi tetë anije, që u shkëputën nga bregu i Ke-Sen-Bernar. Shoqëruan shtatoren prej argjendi të Virgjërës Mari, dhuruar qytetit nga mbreti Karli X. Gjatë proçesionit shtegtarët thanë Rruzaren shenjte, shoqëruar me meditime e këngë mariane.
Në ditën e solemnitetit, parizianët e dëshmuan devocionin e tyre për Zojën e Bekuar duke marrë pjesë në proçesionin, që u nis nga Kisha e Sent-Pierre, mbi kodrën Montmartre, për të arritur në orën 18. 00 në katedralen e Shën Marisë së Parisit, ku u kremtua liturgjia solemne eukaristike.
Mariacel - Austri
Në Austri, përfundoi shtegtimi i madh i të rinjve evropianë me temë ‘Rizgjim’, në Shenjtëroren Mariacel. Të rinjtë, me gëzim dhe emocion, ndoqën përmes ekraneve të mëdha televizive, vendosur përballë shenjtërores, Meshën Shenjte, të kryesuar nga kardinali Kristof Shënborn dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës Ati i Shenjtë u lidh drejtpëdrejtë nga Kastel Gandolfo me Shenjtëroren Mariacel, për t’i përshëndetur. Shembulli i Marisë – u tha Papa – tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit – përfundoi Benedikti XVI – rritet në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore”.
Sipas kardinalit Shënborn, në shtegtimin e të rinjve, takim evropian i botës rinore, u gërshetuan festa e gëzueshme, lutja edhe njohja reciproke.
Moskë:
Në Solemnitetin e të ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’, Kardinali Etçegaray kryesoi, në katedralen e Moskës, Meshën Shenjte për katolikët që jetojnë në kryeqytetin rus. Hirësia e tij ishte edhe në Siberi, në Irkuck e në Novosibirsk: këtu kremtoi 10-vjetorin e shugurimit të katedrales katolike. Gjatë takimit të tij në Rusi, kardinali Etçegarai u takua edhe me Patrikun e Moskës e të të gjithë Rusive, Aleksej II me të cilin bisedoi për takmimn aq të pritur ndër mjet Patrikut e papës, që shpresohet të realizohet në një kohë jo të largët.
Peru:
Një lajm tragjik, në mes të lajmeve të gëzuara të festës: në Peru, gjatë tërmetit të madh, që goditi disa zona, pikërisht pranë epiqendrës, u shemb kisha e Senor de Luren, në sa ishte duke u thënë Mesha Shenjte e solemnitetit të ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’.
I pyetur për këtë ngjarje të hidhur, imzot Guido Brena Lopez, ipeshkëv i Ikës na tregon me hidhërim të thellë:
Përgjigje: - Kumbonaret e Kishës des Senor de Luren ranë e gjetën vdekjen 4 vetë. U shemb edhe një pjesë e Kishës e u dëmtuan rëndë edhe disa kisha të tjera. Nuk ka dritë, s’ka ujë, nuk ka asgjë për të ngrënë. Qeveria ka deklaruar se do të bëjë të pamundurën për t’i ndihmuar njerëzit e edhe Kisha e Perusë shpreson të bëjë diçka. Papa, i njoftuar menjëherë për ngjarjen, shprehu hidhërimin e tij të thellë, duke theksuar se e ndjen veten pranë familjarëve të viktimave, të plagosurve e të gjithë atyre që kanë mbetur pa strehë. Në një telegram, dërguar ipeshkvijve të dioqezave të goditura nga tërmeti në emër të Shenjtërisë së Tij, nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, Benedikti XVI, u bëri thirrje institucioneve dhe njerëzve vullnetmirë t’u japin ndihmën e nevojshme të dëmtuarve me dashuri e solidaritet të krishterë. E ata po i përgjigjen menjëherë kësaj thirrjeje të Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.