(26.08.2007 RV)Sot më 26 gusht,
në të dielën e 21-të të vitit liturgjik, Kisha katolike kremton shën Zefirin e shën
Aleksandrin.
Të hënën, më 27 gusht, përkujtojmë shën Monikën. Zoti
e do popullin e vet. Shën Pali i shkruan bashkësisë së Selanikut, që e pati themeluar
vetë, duke u gëzuar së pari për veprën e Shpirtit të Shenjtë në mesin e tyre. Do të
ishte një fitore e madhe, nëse do të dinim t’i kthenim sytë nga Zoti e t’u largoheshim
rreziqeve që Jezusi ua atribuon farisejve.
Më 28 gusht, ditën e martë,
bie festa e shën Agustinit, ipeshkëv e doktor i Kishës. Kthehu nga unë o Zot,
me vështrim dashurie. “Vonë të kam dashur, bukuri kaq e lashtë e kaq e re, vonë të
kam dashur. E ja që ti ishe brenda meje e unë isha jashtë e aty të kërkoja… Më verbove
me shkëlqimin tënd, e më në fund e shërove verbërinë time”. Janë këto veprat e mëdha
të Zotit që shën Agustini sheh në jetën e vet.
Martirizimi i shën Gjon
Pagëzuesit përkujtohet nga Kisha të mërkurën, më 29 gusht. Je ti o Zot, mbrotja
e të drejtit. Shën Gjoni është pararendësi i vendimit me vdekje dhe i vdekjes së Jezu
Krishtit. Edhe ai nuk i nënshtrohet gjykimit të njerëzve, por ecën në rrugën që Zoti
ia ka caktuar. Në të njëjtën ditë, kremtohet edhe shën Sabina.
Ndikoje
mbi ne o Zot, hirin tënd. “Të jemi gati”: sa herë kaplohemi nga frika se nuk jemi
gati! Por nuk duhet të shqetësohemi nëse i kemi në rregull dokumentat, por nëse e
kemi jetuar jetën si dhuratë për vëllezërit, për çdo vëlla! Kështu e kaluan jetën
shenjtërit që përkujtohen të enjten, më 30 gusht: Shën Feliksi, shën Rebeka, shën
Margarita Uard, I Lumi Idelfonso Shuster.
Të premten, dita e fundit
e muajit gusht, bie festa e shën Paulinit, shën Rajmond Nonatos, shën Aristidhit.
Shenjtëria e Zotit shkëlqen në zemrën e të drejtëve. Pesë virgjërat e pakujdesshme
e gjetën derën të mbyllur, sepse nuk ishin përgatitur si duhet. Vaji që u mungonte
simbolizon mungesën e shpirtit të dashurisë e bamirësisë. Rrini zgjuar pra, se nuk
e dini ditën, as orën.
Shpëtoje veten me dashuri, të këndojmë një këngë të
re. Zoti, nëpërmjet shembëlltyrës së talentave na kërkon gatishmërinë tonë të plotë
për ta ndjekur, duke e ditur se rruga e tij ka si përfundim Golgotën dhe Varrin bosh.
Me këtë gatishmëri e ndoqën shën Egjidi, shën Vitori, shën Siksti, që kremtohen
të shtunën e ardhshme, më 1 shtator.