2007-08-27 20:20:37

Kalendari i aktiviteteve të Romës për 10-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës


(27.08.2007 RV)Afrohet 5 shtatori, 10-vjetori i kalimit në amshim të Nënë Terezës, misionares shqiptare të bamirësisë, dhe e gjithë bota që e ka vlerësuar punën e së Lumes përgatitet ta përkujtojë me aktivitete të ndryshme. Në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, kudo ku ndodhen shqiptarë nëpër botë po organizohen mbrëmje përkujtimore, meshë e aktivitete të tjera fetare e kulturore, për nder të Nënë Terezës.
Veçojmë sot kalendarin e aktiviteteve të përgatitura nga motrat e Nënë Terezës në Itali, të cilat do t’i kujtojmë pak nga pak, edhe sipas ditëve.
Pikërisht dje, në 97-vjetorin e ditëlindjes së Nënë Terezës, e cila e filloi jetën e saj tokësore më 26 gusht 1910 në Shkup, filloi nëntë ditëshja e lutjeve për misionaren e bamirësisë. Lutjet zhvillohen çdo ditë në orën 19.00 në Bashkësinë e motrave misionare kundruese të bamirësisë në via del Dragoncello, 68 në Açilia, afër Romës. Adhurimi i vazhdueshëm i Eukaristisë fillon të premten më 31 gusht në orën 9 të mëngjesit, deri në orën 6 të mëngjesit të 4 shtatorit, në Kapelën e Vëllezërve misionarë kundrues të bamirësisë në via S. Agapito, 8 në lagjen Prenestina të Romës.
Të martën, më 4 shtator, në Bazilikën e Shën Anastazies në Palatin do të zhvillohet një lutje në vigjilje të përvjetorit të madh.
Ditët e festës fillojnë pa dyshim kur bie 10-vjetori i kalimit në amshim të së Lumes Nënë Terezë, më 5 shtator, ditën e mërkurë me një Meshë Solemne në Bazilikën e shën Gjonit në Lateran, të kremtuar nga imzot Anxhelo Komastri, vikar i përgjithshëm i Papës Benedikti XVI për Shtetin e Vatikanit. Po të mërkurën, hapet në Seminarin e Madh Papnor të shën Gjonit në Lateran, në sallën Tiberiade, një ekspozitë mbi jetën, veprën dhe mesazhin e Nënë Terezës, e cila do të mbetet e hapur çdo ditë nga ora 9.30 deri në orën 19.30, deri të dielën më 9 shtator. Në të njëjtin vend do të jetë e mundur lutja në një Kapelë për Adhurimin e Eukaristisë, mund të shihet një dokumentar për Nënë Terezën, do të ketë një vend për të luajtur fëmijët dhe do të jetë i mundur takimi me misionarët dhe misionaret e Bamirësisë.
Nga e enjtja, 6 shtator, deri të dielën, 9 shtator, çdo ditë karakterizohet nga diçka e veçantë, sipas një teme të veçantë. Të enjten, tema e ditës është: “Prania e Jezusit në Eukaristi dhe në të varfërit”. Në orën 17.30 do të shfaqet një video mbi Nënë Terezën e do të mbahet një konferencë e Predikatarit të Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa. Të premten, mbi temën e ditës “Kryqi dhe etja e Jezusit” do të mbahet një Lectio Divina e udhehequr nga atë Inoçenco Gargano, murg kamaldolez, me dëshminë e Ana Maria Grosit, një nga bashkëpunëtoret e para të misionareve dhe nxitëse e adoptimeve ndërkombëtare në Itali. Oratorio Ruah, Kori Polifonik i Shën Silvies do të japin kocert. Në këto dy ditë, në orën 16.30, njerëzit mund të marrin pjesë në Adhurimin Eukaristik me reflektime të Nënë Terezës mbi temën e propozuar për ditën. Në orën 19.30 dita mbyllet me kremtimin eukaristik.
Të shtunën, më 8 shtator, bie festa e lindjes së Shën Marisë Virgjër dhe pjesëmarrësit në aktivitet do të reflektojnë mbi rolin e Zojës në jetën e Nënë Terezës. Dita i është kushtuar veçanërisht fëmijëve dhe familjeve. Nga ora 10 deri në orën 12 do të zhvillohen lojra për fëmijë dhe momente reflektimi e lutjeje për të rriturit. Në orën 15, Rruzarja e medituar mbi temën e ditës. Në orën 16.00 Kremtimi Eukaristik dhe Kushtet e përjetshme për Misionarët e Bamirësisë, Vëllezërit Kundrues.
E diela, 9 shtator, dita e fundit e festimeve në Romë, do të fillojë gjithnjë me hapjen e ekspozitës në orën 9.30, por duhet pritur ora 15.00 për të ndjekur një recital mbi Nënë Terezën. Në përfundim të festimeve për përkujtimin e 10-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, do të kremtohet një Meshë Solemne në Bazilikën e shën Gjonit në Lateran, kryesuar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Romës, imzot Ernesto Mandara.







All the contents on this site are copyrighted ©.