2007-09-27 17:40:41

Benedikti XVI i porositi ipeshvijtë e Ukrainës, në vizitë ‘ad Limina’, të kenë marrëdhënie të harmonishme me greko-katolikët e me ortodoksët e vendit dhe të kujdesen për meshtarët e ardhshëm.


(27.09.2007 RV)Të manifestojnë, në çdo rrethanë, frymën e bashkimit ndërmjet katolikëve të riteve të ndryshme. Kjo është porosia kryesore që u dha Benedikti XVI ipeshkvijve ukrainas të ritit latin, me të cilët u takua sot në Kastel Gandolfo, në përfundim të vizitës së tyre ‘ad Limina’. Ishte takimi i dytë, pas atij të së hënës, në të cilin morën pjesë edhe prelatët katolikë të ritit grek. Sot Papa vuri në dukje detyrat më të rëndësishme që e presin në të ardhmen Kishën e Ukrainës, duke theksuar posaçërisht kujdesin për meshtarët, për thirrjet e reja meshtarake dhe për familjet.
Ipeshkvijtë e Kishës katolike ukrainase dëshirojnë reciprokisht ta fuqizojnë unitetin dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat e veprimtarisë baritore, duke nisur nga veprimtaria katekistike, tek ajo liturgjike; nga ajo misionare, tek ajo bamirëse. Kështu u shpreh Benedikti XVI, duke vlerësuar lart punën baritore të ipeshkvijve të cilët – siç theksoi Papa – jetojnë në rrethana të vështira shoqërore, që kërkojnë prej tyre bujari e vetmohim të përditshëm. Por, ashtu siç nënvizoi edhe gjatë takimit të fillimit të kësaj jave, duke iu drejtuar ipeshkvijve greko-katolikë, Ati i Shenjtë i nxiti përsëri prelatët e ritit latin të punojnë për dialogun dhe vëllazërimin ndërmjet dy traditave kishtare:
“Edhe ndërmjet katolikëve, bashkëpunimi nuk është gjithnjë i lehtë, duke qenë normale të lindin qëndrime të ndryshme, po të kemi parasysh larminë e traditave përkatëse. Por si mund të mos e shikojmë si mundësi providenciale faktin që na kujton bashkëjetesën e dy bashkësive me tradita të ndryshme, megjithatë plotësisht katolike, të dyja në shërbim të të vetmit Kyrios e të kumtimit të Ungjillit? Bashkimi i katolikëve, në larminë e riteve dhe përpjekja për ta manifestuar këtë në të gjitha fushat, zbulon fytyrën e vërtetë të Kishës Katolike dhe është shenjë më se e qartë edhe për të krishterët e tjerë, ashtu si për mbarë shoqërinë”.
Me gjithë trashëgiminë e hidhur që la pas sundimi komunist, gjurmët e të cilit janë të dukshme në shpirtin e breznive të sotme - shpjegoi Papa – fuqizimi i unitetit të brëndshëm të bashkësive katolike, do ta bëjë më të lehtë edhe vijimin e dialogut ndërmjet Kishës katolike dhe Kishave e bashkësive të tjera kishtare. Tek ju ndjehet posaçërisht nevoja e dialogut ekumenik – u tha në përfundim Papa prelatëve të Ukrainës – sepse prej shekujsh jetoni së bashku me vëllezërit tanë ortodoksë e me ta përpiqeni të zhvilloni një dialog të përditshëm, që gjen shprehjen e vet në të gjitha aspektet e jetës.Duke kaluar, pastaj, në temat baritore, Benedikti XVI i ftoi ipeshkvijtë ukrainas të kenë kujdes që në seminare t‘u sigurohet një formin i harmonishëm dhe i plotë dëshirtarëve për rrugën e meshtarisë, pa harruar edhe formimin e përhershëm të vetë meshtarëve, të rregulltarëve, të laikëve si dhe veprimtarinë baritore në gjirin e familjeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.