2008-01-14 18:11:00

Vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të zonave arabe. Intervistë me patrikun e Jeruzalemit, Mishel Sabah.


(14.01.2008 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvijtë latinë të zonave arabe, që i përkasin Konferencës me të njëjtin emër (CELRA), do të jenë që sot e deri të shtunën e ardhshme për vizitë ‘ad Limina’ në Vatikan. Benedikti XVI priti sot paradite grupin e parë të prelatëve, kryesuar nga Patriku i Jeruzalemit të latinëve, imzot Mishel Sabah. Është fjala për barinj që kryejnë misionin e tyre në troje ku banorët e krishterë – të organizuar në bashkësi jo aq të qëndrueshme, posaçërisht në se krahasohen me ato myslimane – duhet të përballojnë ditë për ditë situata të vështira, konflikte e kriza të rënda humanitare. Por edhe troje ku krishterimi ka rrënjët e veta më të shenjta e më të lashta, vende nga të cilat buroi e buron gjithnjë mesazhi i shpresës.
Izraeli e Palestina, Iraku e Arabia, Somalia e Briri i Afrikës - të kujtosh këto emra, është njëlloj si flasësh për troje ku nisin rrënjët e të gjitha feve botërore e për toka ku lindin tensionet më delikate në fushën gjeopolitike aktuale. Toka ‘shenjte’ të historisë e toka të gjakosura të kronikës, ku Kisha lindi, jeton në minorancë e ndodhet përballë epërsisë së Islamit. Këto Kisha kanë ardhur sot tek Benedikti XVI, me ngarkesën e përvojës së tyre baritore, me vështirësitë ambientale e shpresat për një ardhmëri më të mirë, për të cilën Papa është tepër i interesuar.
Dioqeza e Konferencës së ipeshkvijve latinë të Zonave Arabe (CELRA) që ka një numër më të madh katolikësh, është ajo e patriarkanës latine të Jeruzalemit. Përfshin Izraelin, Palestinën, Jordaninë e Qipron. Bashkësia përbëhet nga 170 mijë vetë, shumica me origjinë palestineze, të cilëve u duhen shtuar edhe të huajtë rezidentë, rregulltarë e laikë, si edhe ndonjë i krishterë me origjinë hebraike. Brenda Patriarkanës latine të Jeruzalemit – rast unik për të gjitha Kishat katolike të Tokës Shenjte - është edhe një Seminar i lashtë, të cilit nuk i kanë munguar kurrë thirrjet, që nga viti 1848 kur u themelua. Dioqeza ka 60 famulli me 90 meshtarë: ipeshkvij, patrikë e rregulltarë, me moshë mesatare 50 vjeç, gjë që flet për një kler të ri, që është i thirrur të kujdeset për një bashkësi të krishterë, e cila shpërbëhet vazhdimisht për shkak të mungesës së stabiltetit kronik në zonë.
Pikërisht në këto troje lindi, predikoi, u kryqëzua e u ngjall Jezu Krishti, prandaj edhe quhen “Toka të Shenjta”. E tillë është edhe toka libaneze, me mozaikun e pakicave fetare: maronitë, grekë melkitë, katolikë, armenë-katolikë, siro-katolikë e kaldej – gjithsejt 800 mijë katolikë, 18 mijë nga të cilët i përkasin Vikariatit të Beirutit.
Duhet të theksojmë se edhe në Siri, për shkak të refugjatëve irakianë, numri i katolikëve vijon të rritet çdo ditë. Në sa pakësohet vazhdimisht në Bagdad, ku më 2004 kishte dy mijë të pagëzuar, ndërsa sot - një prani gati të pandjeshme.
Duke kaluar në Afrikë, duhet të kujtojmë së pari Vikariatin e lashtë apostolik me seli në Aleksandri të Egjiptit, i cili shtrihet në një territor, ku banojnë 214 mijë katolikë të të gjitha riteve. Bashkësia e ritit latin numron 30 mijë besimtarë, të shpërndarë në 17 famulli. Por, përveç Egjiptit, Konferenca përfshin edhe Somalinë e Gjibutin.
Ndërsa Vikariati i Arabisë, që e ka selinë në Ad Abu të Kuvaitit, kujdeset për të gjithë katolikët e gadishullit arabik.
Ja si shprehet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, patriku Mishel Sabah për përparësitë e punës baritore në Patriarkanën latine të Jeruzalemit:
 Përgjigje - Detyra jonë e parë është katekizmi, sepse të krishterët duhet të jenë të krishterë jo vetëm për emër, por të krishterë që e pranojnë krishterimin në mes të një bote jo të krishterë. Bota në përgjithësi nuk është e krishterë, aq më tepër bota jonë. Vendet në të cilat jetojmë janë vende arabe, vende myslimane, e numri i katolikëve është shumë i kufizuar. Bëhet fjalë, prandaj, jo vetëm për ta pranuar fenë e krishterë, por sidomos për ta jetuar. Prandaj duhet ta kuptojnë mirë ç’do të thotë ta jetosh krishterimin në një shoqëri jo të krishterë, si mund të jesh dëshmitar i Jezusit ndërmjet jo të krishterëve. Problemi i katekizmit lidhet ngushtë me atë të emigrimit. Emigrimi nuk duhet të ketë vetëm kuptimin e kërkimit të një jete më të mirë, por kryesisht atë të pranimit ose të mospranimit të thirrjes si i krishterë, të thirrjes për të jetuar në atë shoqëri, ku na do vetë Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.