2008-02-25 18:04:16

Komunist, presidenti i Qipros. Do bashkimin e ishullit, por jo ekonominë e tregut


(25.02.2008 RV)Dhjetra mijëra palestinezë formuan sot një zinxhir njerëzor prej 40 km në Rripin e Gazës për të protestuar kundër bllokimit të kufirit vendosur nga Izraeli. Ndër pjesëmarrësit, edhe shumë nxënës shkollash, të cilat u mbyllën për manifestimin. Ndërkaq, izraelitët përforcuan kufirin me 6.500 ushtarë më tepër.

Asnjë syrprizë në Kubë, ku siç pritej, Asambleja Kombëtare zgjodhi Raul Kastron, vëllain e Fidel Kastros, si president të ri të vendit. Raul ishte tashmë në krye të Kubës që prej 19 muajsh. Gjithsesi, ai i kërkoi parlamentit autorizimin për të konsultuar të vëllanë mbi punët kryesore të shtetit. Sot, përfaqësuesi i lartë evropian për politikën e jashtme, Havier Solana shprehu dyshime për mundësinë e një tranzicion demokratik të Kubës nën liderin e ri.

Në Qipro zgjidhet president, komunisti Kristofias. Autoritetet e Republikës turke të Qipros së Veriut përshëndetën me dashamirësi këtë fitore, duke e konsideruar si një mundësi për të hapur negociatat për bashkimin e ishullit, të ndërprera në prill 2004. Edhe presidenti i Komisionit Evropian, Barroso ka bërë thirrje për rifillimin e bisedimeve. Në ballotazhin e djeshëm, Kristofias fitoi 53,36% të votave në garën me të moderuarin e së djathtës Janis Kasulides. 61 vjeçar, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, ai ka qenë nëntë herë president i parlamentit. Por përveç dëshirës për të bashkuar ishullin, Kristofias është edhe kundër ekonomisë së tregut, globalizimit dhe euros, mban kontakte të mira me Moskën, por jo edhe me Londrën e Uashingtonin.







All the contents on this site are copyrighted ©.