2008-06-13 17:09:44

Benedikti XVI në Shën Marinë e Leukës dhe në Brindizi


(14.06.2008 RV)Papa Benedikti XVI filloi sot pasdite vizitën e tij baritore në Shën Marinë e Leukës dhe në Brindizi të Puljes. Është udhëtimi i tij i dhjetë apostolik në Itali. Papa mbërriti në Shën Marinë e Leukës në orën 16.50 e shkoi në Shenjtoren e Shën Marisë de finibus terrae, ku kremtoi Meshën Shenjte. Lidhja ndërmjet papëve të Romës e kësaj shenjtoreje është shumë e lashtë. Dëshmi për këtë janë shkrimet që ruhen akoma në këtë vend kulti e që tregojnë madje, se në këto troje është ndalur Shën Pjetri. Në atë gjuhë toke, që gjendet në fund të njërës prej majave të çizmes së gadishullit, që laget si prej detit Jon, ashtu edhe prej atij Tirren e që dikur shënonte kufirin e Perandorisë Romake – që këtej edhe emri de finibus terrae (në fund të dheut) – mbërritja e krishterimit ndodhi pikërisht për hir të Vikarit të parë të Krishtit. Kështu shpjegon në mikrofonin tonë, rektori dhe famullitari i Shenjtores, mons. Xhuzepe Stendardo:
Ndoshta është Shenjtorja më e lashtë e krishterë e Italisë. E ka zanafillën në vitin 43 pas Krishtit e pra, vetëm 10 vjet pas vdekjes së Jezusit. Kjo ndodhi, sepse Shën Pjetri, duke ardhur në Itali, zbarkoi në Shën Marinë e Leukës dhe pa shumë njerëz me një sens fetar të theksuar, të tërhequr nga kulti i perëndeshës Minerva. Atëherë, Pjetri përfitoi nga rasti për të folur mbi Jezusin e njerëzit, të etur për të vërtetën, dëgjuan predikimin; braktisën kultin e perëndeshës Minervë dhe tempulli i saj u shndërrua në tempull të krishterë.
Të mbajmë parasysh së shumë njerëz kanë gjetur strehë në Leukë: mjafton të mendojmë për luftën e fundit në Kosovë, kur njerëzit vinin në këto anë, gjenin strehë, e ne ishim gati, si tokë salentine, ti prisnim mirë këta njerëz. Kush dëshiron të kalojë me të vërtetë një çast paqeje, larg nga zhurma, nga rrëmuja, mjafton të vijë këtu e do të gjejë vërtet aftësinë për t’iu drejtuar Zotit e për t’u bashkuar drejtpërdrejt me të.
Pas Shën Marisë së Leukës, Papa shkoi në Brindizi. Në orën 20.30 takohet me qytetarët e në veçanti, me të rinjtë në Sheshin Lenio Flako. Të dielën, më 15 qershor do të takojë murgeshat benedektine dhe karmelitane të klauzurës, në Kapelën e Kuries Ipeshkvnore të Brindizit. Më pas, në Portin e Brindizit, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën dhe do të thotë Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite, takimi me meshtarët në Katedrale do të mbyllë vizitën papnore. Benedikti XVI gjen një Kishë në Sinod e një territor, që sapo ka dalë nga një periudhë kriminaliteti e trafikësh të paligjshëm, me dëshirë të madhe për rinovim. Por, vizita e Papës është edhe historike, siç thotë kryeipeshkvi i dioqezës Brindizi-Ostuni, imzot Roko Taluçi:
Sigurisht, sepse nga dokumentat rezulton se vetëm njëmijë vjet më parë një Papë ka shkelur këtu në Brindizi, duke kaluar për një vizitë baritore e duket se ka bekuar edhe perimetrin e terrenit ku ngrihet katedralja. Prandaj, mund të themi se presim që prej njëmijë vjetësh! Është pra një fakt historik, sepse Brindizi është një qytet që ka origjinë gati apostolike, kryeipeshkvijtë e tij kanë qenë të impenjuar në Sinode e Koncile; është një qytet, që përmes shenjtit të tij më të madh, Shën Lorencit nga Brindizi, ka pasur marrëdhënie me Evropën e misionet. Por sidomos, Shën Lorenci nga Brindizi kujtohet si pajtues i Evropës, i dërguar shpesh me mandat të drejtpërdrejtë të Papës dhe në nivel kishtar, si doktor apostolik, për predikime në Evropë. Është një dioqezë e një qytet gjithnjë i hapur ndaj Orientit, sepse këtej kalonin Kryqëzatat për në Tokën Shenjte. Ka shumë kisha që e dëshmojnë këtë histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.