Thirrje e re e Papës Benedikti XVI për paqen në Lindjen e Mesme
(19.06.2008 RV)Thirrje e re e Papës
Benedikti XVI për paqen në Lindjen e Mesme. Rasti ishte takimi me pjesëmarrësit e
asamblesë së ROACO-s, organizmit që përmbledh Veprat e ndihmës për Kishat Katolike
Lindore. Papa ftoi gjithashtu, besimtarët e të gjithë botës të mbështesin bashkësitë
katolike të Lindjes, shpirtërisht e materialisht, që të inkurajohen, pavarësisht nga
vështirësitë në të cilat ndodhen, “për të jetuar plotësisht misterin e Kishës së vetme
të Krishtit duke u qëndruar besnikë traditave të tyre shpirtërore”: “Prandaj,
iu bëj thirrje ta forconi këtë lidhje dashurie e bamirësie, sepse sipas këshillës
të Apostullit të popujve, kush ka shumë të ndihmojë atë që ka nevojë, që të ketë barazi
në vëllazëri”. Benedikti XVI shprehu afërsinë e tij me bashkësitë e vogla
katolike të Gjeorgjisë dhe të Armenisë, të impenjuara në rrugën e ekumenizmit, dhe
shfaqi shqetësimin e tij të madh për vuajtjet e të krishterëve në Irak. Kujtoi me
dhimbje të thellë vrasjen e kryeipeshkvit të Mosulit, i cili – siç tha Ati i Shenjtë
– mori në krah kryqin e vet dhe ndoqi Zotin. “Me dëshminë e tij për të vërtetën, kontribuoi
për të sjellë drejtësinë në vendin e tij të martirizuar e në të gjithë botën”. Ndërkaq,
Papa foli më kënaqësi për zhvillimet e fundit në Liban, i cili ka rigjetur rrugën
e dialogut e të mirëkuptimit. Benedikti XVI kujtoi se të dielën do të lumnohet në
Bejrut, meshtari kapuçin Zhak Gazir Hadad. “I prekur nga kryqi i Jezu Krishtit – nënvizoi
Ati i Shenjtë – ky rregulltar u bë i afërmi i të sëmurëve dhe i të varfërve, duke
thirrur një numër të madh vajzash e grash për t’i shërbyer atyre. Dëshmia e tij prektë
sot zemrat e të rinjve të krishterë libanezë, që të mësojnë ç’do të thotë jetë ungjillore
në shërbim të të varfërve e të vegjëlve, duke dëshmuar besnikërisht fenë katolike
në botën arabe”. Papa Racinger falenderoi veçanërisht të gjithë ata, që e kanë
për zemër kauzën e Bashkësive të krishtera në Tokën e Shenjtë, jetësore për krejt
Kishën, e shtoi: “Ndaj me ta sprovat dhe shpresat e lutem me zjarr t’i vizitoj
personalisht, siç lutem edhe që disa shenja paqeje, që i përshëndes me besim të madh,
të gjejnë sa më shpejt plotësimin. U bëj thirrje përgjegjësve të Kombeve, që t’i ofrohet
Lindjes së Mesme, e në veçanti Tokës së Jezusit, Libanit dhe Irakut paqja aq e dëshiruar
dhe qëndrueshmëria shoqërore në respekt të të drejtave themelore të njeriut, që përfshijnë
edhe lirinë e vërtetë fetare. Në fakt, paqja është rruga e vetme për të përballuar
edhe problemin e madh të refugjatëve dhe për të frenuar emigracionin, veçanërisht
atë të krishterë, që godet rëndë Kishat Lindore”. Në përfundim, Benedikti
XVI ia besoi të gjitha lutjet, ndërmjetësimit në qiell të të Lumit Gjoni XXIII, mik
i sinqertë i Lindjes dhe Papë i Enciklikës “Pacem in Terris”.