2008-08-26 17:21:26

Vëzhgues i Vatikanit pranë OKB-së flet për marrëdhëniet e ftohta mes Rusisë e Nato-s


(26.8.2008 RV)RealAudioMP3 Ftohen gjithnjë më tepër marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Nato-s. Kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi: “Gjendja e nderë dhe gara e armatimeve paguhen nga më të ligshtit.”
Me 21 gusht Rusia u kumtoi zyrtarisht zyrtarëve të Nato-s pezullimin e të gjitha veprimtarive të bashkëpunimit ushtarak me Aleancën Atlantike. Ky qëndrim i tillë i Moskës erdhi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Nato-s dhe Varshavës për vendosjen e raketave amerikane në territorin polak. Tani edhe njohja e pavarësisë së Osetisë së jugut dhe Abkhazisë nga Moska e përkeqësojnë më tej situatën. Pra gjithnjë e më të ndera, marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Vendeve perëndimore, në një kohë kur Këshilli Europian e përkufizoi “të papranueshëm” dhunimin nga ana e Rusisë të territorit gjeorgjian dhe njohjen e dy Vendeve të Kaukazit..
Mbi gjendjen e rëndë ndërkombëtare në mikrofonin e Radio Vatikanit flet kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë:

Përgjigje: Sistemi i ri shumëpalësh gjendet përpara njëfarë krize dhe kjo është në dëm të vendeve më të ligshta dhe atyre më të varfëra. Çasti kulmor i ndarjes së Rusisë nga sistemi i Nato-s është një nga shenjat e kësaj vështirësie. Një tjetër shenjë qe ai i tri a katër javëve me parë kur dështoi takimi “Doha Development Round”. E tani edhe akti i fundit që bëri Moska me njohjen e pavarësisë së Osetisë e Abkhazisë. Këto shenja tregojnë se ka njëfarë shqetësimi dhe vështirësie që të punohet bashkarisht në fushën ndërkombëtare. Në këto çaste duhet të bëjmë me të vërtetë një hap cilësor përpara, të dalim me propozime pozitive, veçanërisht ne të krishterët, për ta përforcuar bashkimin e familjes së madhe njerëzore, gjë që duhet shprehur edhe nëpërmjet organizatave e strukturave, që bëjnë një hap më tutje në solidaritetin me më nevojtarët.


Pyetje: Imzot Tomazi, të flasësh për rikthimin e luftës së ftohtë është ndoshta e tepërt, por sigurisht shqetësimi për garën e re të armatimeve sa vjen e rritet. Ç’hapa mund të ndërmerren për të dalë nga kjo krizë?


Përgjigje: Frika është për mungesën e rezultateve për të arritur në pëfundimin e diskutimeve të zhvilluara vitet e fundit në lidhje me çarmatimin, e mbi të gjitha për çarmatimin bërthamor. Ka patur një lloj druajtje në marrjen në shqyrtim në mënyrë të vendosur të çështjes themelore të çarmatosjes bërthamore. Vendosja e raketave në Poloni dhe nga ana tjetër kundërpërgjigja ruse për dërgimin e raketave ruse në një zonë afër Europës, në afërsi të territorit të Bashkimit Europian, e edhe tani njohja e pavarësisë, e rrit tensionin. Do të paguhet një çmim po qe se vijohet në këtë rrugë: mungesa e komunikimit, mungesa e shkëmbimit… Nëse globalizimi, që futet kudo nga pak, kufizohet përsëri nga nacionalizmi dhe proteksionizmi, ka rrezik që të ketë probleme të reja për familjen njerëzore.


Pyetje: Ç’rol mund të luaj Selia e Shenjtë?


Përgjigje: Frymëzimi ynë i krishterë na bën ta shohim familjen njerëzore si të bashkuar, së një të tërë. Ne nuk gjejmë strehë tek ndonjë abstraksion intelektual, por duhet t’u bëjmë ballë situatave konkrete dhe ta përcjellim mesazhin tonë të bashkimit, të solidaritetit me përgjegjësi. Dhe nëpërmjet kësaj rruge, me durim, duke paraqitur të gjitha temat me interes të përbashkët, — që nuk është vetëm një çështje etike, por edhe një çështje interesi — mund të ndihmojmë me diçka shumë të çmueshme dhe të zhbllokojmë në njëfarë mënyre, ose së paku të përpiqemi ta zhbllokojmë gjendjen e nderë që është krijuar këto javët e fundit.


Pyetje: Vitin e ardhshëm kremtohet 20 vjetori i rënies së Murit të Berlinit. Cilat janë urimet tuaja për këtë përvjetor që tani merr një domethënie të veçantë?


Përgjigje: Ai mur ka qenë një orvatje për të ndarë dhe për të veçuar popuj të tërë. Në histori muret nuk kanë shërbyer e nuk kanë për të shërbyer as në këtë çast. Ka mure që ndërtohen ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, ndërmjet amerikanëve dhe meksikanëve. Kjo është në kundërshtim me vijën tonë të solidaritetit e të bashkimit shpirtëror, të pjesëmarrjes që buron nga fakti se të gjithë jemi bij të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.