2008-12-02 17:35:19

365 ditë: "Kjara Lubih na mëson ta vëmë Ungjillin në jetë ditë për ditë".


(02.12.2008 RV)RealAudioMP3 Ja, po rifillojnë! Sirenat ulërijnë përnjëherësh e duhet vrapuar përsëri ndër strehime, për t’u mbrojtur nga bombat. Qyteti i Trentos dridhet nën avionët armiq e popullsia fshihet me tmerr. E sa herë që, gjatë alarmeve, popullsia fshihet në strehime, disa vajza mblidhen e lexojnë Biblën, e vetmja gjë që marrin me vete, kur ikin me vrap nga shtëpitë. Një mësuese e re, Kjara Lubih, u lexon të tjerave fragmente nga Ungjilli. Ndërsa bombat vijonë të bien, vajzat meditojnë për kuptimin e Shkrimeve Shenjte e, shumë shpejt, e kuptojnë në thellësi të zemrave se nuk mjafton ta lexosh Biblën; duhet ta jetosh.
Lëvizja e Fokolarëve apo e Vatrorëve lind më 7 dhjetor 1943. Këtë ditë, në fshehtësinë e zemrës, Kjara Lubih, themeluesja, ia dhuron gjithë jetën e vet Zotit. Vatroret e para janë shoqet e saj të strehimt, laike që i kushtohen Hyjit. Lëvizja rritet me shpejtësi të madhe. Rregulltarë e laikë, të martuar e të pamartuar, bashkohen me Kjarën, për të vënë në jetë ndjetin e saj “Që të gjithë të bëhen si ne, një gjë e vetme!”. Fokolarinët kanë një qëllim të vetëm: të jenë dashuri, që bashkon njerëzit.
Në një kohë tepër të shkurtër, Lëvizja e Fokolarëve apo e Vatrorëve, përhapet në mbarë botën. Është një pemë në lulëzim, që vijon të japë fryte të begata, duke thithur ushqimin e nevojshëm nga leximi i Ungjillit e lutja drejtuar Marisë. Maria i prin Lëvizjes e të gjithë Fokolarinët përpiqen që jeta e tyre t’i ngjasë jetës së Nënës së Zotit.
Në se nga njëra anë Maria është prijëse shpirtërore e Lëvizjes, nga ana tjetër është Krishti ai, që përcakton programin: “Bashkim vëllazëror universal!”.
“Jemi një grup i vogël, që ndihmon Kishën për të realizuar detyrën e ngarkuar nga Krishti: ’Që të gjithë të jenë një!”- shpjegon Kiara.E për ta realizuar këtë ideal, mësuesja e re nuk kënaqet vetëm me fjalë të bukura, por vepron konkretisht. Punon për bashkimin vëllazëror të të gjithë njerëzve, duke ua hapur zemrën edhe të tjerëve, të krishterë ose jo. Përshpirtëria e Lëvizjes së Fokolarëve bazohet mbi dashurinë e gjuha e tyre është e kuptueshme për të gjithë. Doni prova? Kjarën e ftojnë kudo, në Kisha, në Parlamentin evropian, në xhami, në tempuj budistë... E kudo që shkon, flet për dashurinë e shpresën, që janë motori i jetës vëllazërore. Po ku e merr gjithë këtë energji? Nga besimi i patundur në Ungjillin, që përpiqet ta jetojë ditë për ditë!







All the contents on this site are copyrighted ©.