2008-12-30 18:12:00

Kujtojmë Atë Gjergj Fishtën në 68 vjetorin e vdekjes.


(30.12.2008 RV)RealAudioMP3 Deka e vorrimi i parë:
Dita e 30 dhetorit të vjetës 1940 regjistrohet në të gjitha kronikat historike të Shqipnisë, në prag të një robnie të re. Poeti Kombëtar kishte ndërrue jetë!
Të nesërmën vonë, një grup zhgunamurrtësh hapte me zemër të këputun, vorrin e Poetit. Për me ia plotësue dishirin e mbram “Një kryq druni, t’kjosha true/ Nxire e venma përmbi krye!”- i vunë te kryet një kryq dullije.
Por me kenë se ai nuk kishte dekë, sepse Kangatari i Lahutës nuk mund të desë kurr, historia e jetës së tij nuk u mbyll nën rrasën e akullt, që sivëllazënt me kapuçat françeskanë ulun fort mbi sy, për me mshehë lotët-rrëkajë, vunë mbi reliket e tij.

Zhvorrimi vandal:

 
Ende nuk ishin terë lotët, kur në kishë hynë furishëm ata që e quejshin veten çlirimtarë. Thue kishin ardhë me çlirue të dekunin prej vorrit? Thue prandej i hoqën me aq turr kunorat me lule, flakën kryqin e thjeshtë prej dullije e gërricën shkrojlat, tue e lanë rrasën e ftohtë, të bardhë prej mermeri, pa emnin e tij? Apo kishin ardhë me e çue prej vorrit për ta martirizue, ashtu si bashkëvëllazënt? Me bindjen se nuk do ta çonte kurrë ma rrasën.
Fillë mbas vorrit do t’i vinte radha kishës: më 6 shkurt edhe asaj kujtuen se i erdh fundi. E tek e kthejshin tempullin e Hyjnisë në teatër sukujsh, papritë u kujtuen se ai s’kishte dekë. Ai ishte gjithnjë aty!
Atëherë u dynden rishtas te Vorri pa emën. E hapën me mllef. I nxorën ngutshëm eshtënt dhe i flakën në Dri.
Besuen se tashma kishte marrë fund, se s’do t’i ndigjohej ma zani.
Por Kangatari i “Mrizit të Zanave”, i mbetun pa vorr, si Skënderbegu, vijoi të jetonte strukë në kujtesën e në legjendën e Kombit, bashkë me herojtë e epopesë së tij. Tue pritë me e çue prap rrasën.

Ringjallja:

 
E u ringjall, sapo Kombi bani përpjekjet e para për t’u kthye në jetë!
U ringjall 50 vjet mbasi i kishte mbyllë sytë, më 28 dhetuer 1990, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve në Tiranë, shi aty ku ishte hedhë aq shumë baltë mbi emnin e tij të pamort. Mandej, më 30 dhetuer 1990, në Klubin e Rinisë, në Shkodër, prej kah ishin flakë jashtë bashkëmotrat stigmatine e ishin shqiptue dënimet me vdekje të bashkëvëllazënve.
Me 13 dhetuer 1995 në fundin e kishës françeskane të Gjuhadolit, që po rindërtohej, filluen gërmimet shi në atë vend ku ai kishte zdrypë 55 vjet ma parë. Nën copat e tullave dhe materialit të ndërtimit që mbushte vorrin, ai u gjet rishtas: dolën nga dheu grimca eshtënsh të shkapërhapuna, të harrueme prej ngutit e tmerit të gjestit makabër. Zoti kishte premtue që të ruheshin pikërisht eshtënt e dorës së tij të djathtë, të asaj dore që shkroi “Lahutën e Malcis”, “Mrizin e Zanave”, “Vallen e Parrizit”, “Anzat e Parnasit”, “Jerinën”, “Gomarin e Babatasit”… mija e mija vargjesh e rreshtash që duken si të shkrueme sot e për sot!
"Eshtënt e kësaj dore sot në vend të vet i vendojmë dhe breznive të ardhshme trashigim ua lâmë, se pa ketë dorë Shqiptari “epopé” s’do të kishte pasë as në Lahutë kurr gishtat s’do t’ i kishte dridhë për të këndue homerisht Oso Kukë e Marash Ucë, Ali Pashë e Dedë Gjo’ Lulë, Pater Gjon e Tringë.
Emni i tij gjallon brezní në brezní!
Gati një gjysë shekulli harresë e imponueme. U rrafshue vorri, por nuk u zhduk emni; shtatorja e tij vigane u përjashtue prej Panteonit te shkrimtarëve, prej Olympit të poetëve, por Fishta gjalloi i kërthnesët ndër zemra dhe ndër to kthelloi rrâjë e rriti dashtëní. Fara që s’des, nuk ep fryt - tha Mjeshtri hyjnuer i né, katolikëve. (Nga Fjalimi i At Danjel Gjeçajt në rivorrimin e eshtënve të Fishtës).

 
E u ringjall më 29 dhetuer 1996, kur emni i madh u duk rishtas mbi rrasë: vorri u rindërtue e mbi te ngadhënjeu Kryqi i dullijës!U ringjall edhe më 1999, kur me nismën e 19 studiuesëve, në Tiranë u përurue Instituti i Studimeve me emnin e tij “Gjergj Fishta”.
E tash ata që nuk e kanë harrue kurrë, e shohin përsëri të gjallë, thadrue në mermer, në mjedis të Shkodrës, që e deshti aq fort.







All the contents on this site are copyrighted ©.