2009-03-26 16:10:43

Kardinali Turan: të saktësohet nocioni i reciprocitetit për të mbrojtur të drejtat e katolikëve në vendet myslimane.


(26.03.2009 RV)RealAudioMP3 “Liria fetare dhe reciprociteti”: kjo është tema tepër aktuale, që propozon sot e nesër Konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Fakulteti i së drejtës kanonike të Universitetit të Shën Kryqit në Romë. Punimet i hapi sot paradite kardinali Zhan-Lui Turan, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, i cili vuri në dukje se si e ka trajtuar këtë temë Kisha, përmes magjisterit të papëve, nga Gjoni XXIII deri tek Benedikti XVI, dhe përmes dokumenteve konciliare.
Është e nevojshme, theksoi kardinali Turan, që Kisha ta përcaktojë mirë konceptin e “reciprocitetit” në fushën ndërfetare dhe të tregojë se cilat janë normat e kufijtë e zbatimit të tij në vendet me traditë myslimane. Gjithashtu, ajo duhet të përcaktojë rrugët për të ndihmuar katolikët, aty ku vuajnë padrejtësisht. Kardinali Turan kujtoi edhe një herë se të krishterët nuk kanë të drejtë të kenë një vend të tyre kulti në Arabinë Saudite, për shembull, dhe shtoi se, ashtu si myslimanët kanë të drejtë të luten në xhamitë e vendeve me shumicë të krishterë, edhe të krishterët kanë të drejtë të kenë vendet e kultit në shtetet me shumicë myslimane. Ky është parimi i reciprocitetit, për të cilin ka folur edhe Papa Benedikti XVI, por edhe sot e kësaj dite – nënvizoi kreu i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar – mungon një paraqitje e qartë e këtij parimi nga ana e Kishës.
Në konferencë merr pjesë edhe drejtori i agjensisë kishtare AsiaNews, atë Bernardo Çervelera, të cilin e pyetëm për situatën e të krishterëve në vendet myslimane:
Gjendja është e ndryshme në vende të ndryshme, por mbetet fakti, se në rastin më të mirë, të krishterët konsiderohen si “bashkësi për t’u mbrojtur”. Atyre u jepet liria e kultit, por shprehja e saj konkrete është shumë e kontrolluar. Misioni e ungjillëzimi janë gati të pamundura e duhet të kufizohen vetëm në territorin e famullive, apo brenda kishave. Nuk ekzistojnë propozime apo shprehje të tipit publik. Pastaj kemi vendet më të vështira: natyrisht Arabia Saudite, që nuk lejon ndërtimin e asnjë vendi kulti dhe ndalon gjeste kulti të ndryshme nga Islami, edhe në sferën private. Është e vërtetë që tani diçka po ndryshon: policia fetare nuk shkon më nëpër shtëpi për t’i marrë katolikët e protestantët e për t’i futur në burg, vetëm sepse kanë ndonjë ikonë, ose sepse luten sëbashku, por akoma nuk ekziston struktura ligjore për mbrojtjen e kësaj së drejte. Pastaj, gjatë kohëve të fundit, meqë fondamentalizmi është rritur shumë, katolikët e të krishterët e tjerë bëhen objektiv i tij: kujtojmë kishat e shkatërruara në Irak, në Indonezi, sulmet kundër të krishterëve në Pakistan e në vendet e tjera islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.