(09.4.2009 RV)E Enjtja e Madhe është ditë posaçërisht e dashur për besimtarët
e për të krishterët. Përkujton Darkën e Mbrame të Zotit me Apostujt e vet, të cilëve
u lan këmbët, gjest që e prekë aq fort popullin e devoçëm. Po, cila është domethënia
e së Enjtes së Madhe?
Përgjigje: - E Enjtja e Madhe është ditë
e posaçme, tepër e dashur për Kishën, sepse kujton disa nga dhuratat më të mëdha që
Jezusi i bëri Kishës së tij, mbi të gjitha, Korpin e vet, Gjakun e vet, për të mbetur
kështu i gjallë, i pranishëm në botë deri në fund të fundit; pastaj meshtarinë, e
akoma, porosinë e mbrame, testamendin e dashurisë vëllazërore. Është ditë vërtetë
e ngarkuar me domethënie të thellë fetare e mistike.
Pyetje: - Ungjilli
i Gjonit është i vetmi që nuk e tregon Darkën e Mbrame, shugurimin e bukës e të verës:
por ndërkaq është edhe i vetmi që përshkruan larjen e këmbëve: pse?
Përgjigje:
- Kuptimi ndoshta është ky: nuk mund të themi se Gjoni s’e njeh Eukaristinë, sepse
dihet që në Kishat që themeloi Apostulli, Eukaristia kremtohej rregullisht, por ai
foli për bukën e jetës - së cilës i kushtohet një kapitull i tërë në Ungjillin e tij
– e me këtë episod deshi të vinte në dukje kuptimin e thellë të Eukaristisë, jo aq
të ritit, sa të domethënies, që është shërbim. Eukaristia, sipas Gjonit, është sakramenti
që na shuguron për t’i shërbyer njëri-tjetrit, siç shkruan në Letrën e tij të parë:
“Ai dha jetën për né; edhe ne duhet të japin jetën për njëri tjetrin”. Pra, nuk
është vetëm larja e këmbëve. Gjoni ka edhe fjalët mahnitëse të lamtumirës së fundit
të Jezusit, që përbëjnë kulmin e Ungjillit.
Pyetje: - Dikur theksohej
koncepti i Meshës si flijim. Ndërsa sot vihet më tepër në dukje koncepti i darkës.
Si ta jetojmë Meshën?
Përgjigje: - Besoj se Eukaristia duhet të konsiderohet
një e vetme e të mos ndahen aspektet e ndryshme të saj. Është e vërtetë se në rrjedhë
të historisë janë theksuar herë pas here disa aspekte. Në të kaluarën vihej më shumë
në dukje prania reale e Krishtit, flijimi; sot – Kungimi, shujta e jetës, gostia.
Janë të gjitha realitete të vërteta, aspekte të vërteta të Meshës. Është e rëndësishme
të mos ndahen. T’i heqësh, për shembull, përmasën e flijimit, do të thotë ta privosh
Meshën nga një përmasë dramatike që, ndërmjet tjerash, shpjegon e hedh dritë të jashtzakonshme
mbi jetën, edhe njerëzore. Duhet kujtuar edhe se Kungimi, shujta e jetës, flet për
gëzim, tregon se Eukaristia është sakramenti i shpresës, që na përgatit për gostinë
e amshuar.