2009-05-08 12:04:20

Sot është festa e Zojës Rruzare të Pompeit


(08.05.09 RV)E me rastin e festës së sotme të Zojës Rruzare në shenjtoren e Pompeit, në praninë e mijëra besimtarëve, u rinovua në mesditë tradita e Lutjes drejtuar Shën Marisë. Është një lutje e veçantë, hartuar në vitin 1883 nga i Lumi Bartolomeo Longo, me rastin e bekimit të këmbanës së parë të shenjtores në Pompei. Para lutjes, mesha solemne e kryesuar nga kardinali kryeipeshkëv Ruini.
Lutja e Pompeit është veçanërisht e bukur, e përkushtuar, e frymëzuar nga vetë Zoja, e cila iu duk Bartolomeo Longos, avokat i ri italian, dhe i tha t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. Ja si përfundon lutja:
“O Rruzare e bekuar nga Shën Maria, zinxhir i ëmbël që na lidh me Zotin, vjegëz dashurie që na bashkon me Engjëjt, kullë shpëtimi, në sulmet e ferrit, port i sigurtë në rast mbytjeje të përgjithshme, ne nuk do të lëshojmë më kurrë nga dora. Ti do të jesh ngushëllimi ynë në agoni, për ty puthja e fundit e jetës që shuhet. Fjala e fundit që del prej buzëve tona, do të jetë emri yt hyjnor o Mbretëreshë e Rruzares së Pompeit, o nëna jonë e dashur, o Strehë e mëkatarëve, o Sovrane ngushëlluese e të hidhëruarve. Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell. Amen” Po kujtojmë se Lutja e përgjëruar është njëkohësisht lirikë dhe muzikë. Mbi ato faqe janë derdhur lumenj lotësh e janë stampuar miliarda puthje njerëzish që besojnë në Hyjin. Në këtë lutje universale, derdhen të gjitha dhimbjet e shpresat e familjes njerëzore. Është kaq e përkryer rezonanca që ajo ngjall në çdo zemër të krishterë, saqë secili kur e thotë ka përshtypjen se po e harton ai vetë për herë të parë. Mund të thuhet se autori i vërtetë nuk është Bartolomeo Longo, por shpirti popullor, feja e popullit. Është Kisha që ecën në botë e lutet.







All the contents on this site are copyrighted ©.