2009-05-16 15:19:22

Benedikti XVI gazetarëve në avionin e kthimit nga Toka Shenjte: në Lindjen e Mesme ekziston vullneti për paqen, që duhet inkurajuar.


(17.05.2009 RV)RealAudioMP3 Java e kaluar u karakterizua nga përfundimi i udhëtimit të Papës Benedikti XVI në Tokën Shenjte, shtegtim që filloi më 8 maj e u mbyll më 15, me thirrjen e fuqishme të Papës në aeroportin e Tel Avivit në Izrael: “Kurrë më dhunë! Kurrë më luftë! Kurrë më terrorizëm!” Gjatë kthimit në Romë, ku mbërriti të premten, Ati i Shenjtë foli me gazetarët, duke përmbledhur përvojën e përshtypjet e tij nga vizita. Ta dëgjojmë:
“Mund të citoj shumë e shumë detaje: zbritja mallëngjyese në pikën më të thellë të tokës në Lumin Jordan, që për ne është edhe simbol i zbritjes së Zotit, i zbritjes së Krishtit në nivelin më të thellë të ekzistencës njerëzore. Çenakullin, ku Zoti na dhuroi Eukaristinë, ku ndodhën Rrëshajt, zbritja e Shpirtit Shenjt; pastaj Varri i Krishtit, e shumë përshtypje të tjera…
…Tri janë përshtypjet e mia kryesore: e para është se gjeta kudo, në të gjitha ambientet, myslimane, kristiane, hebre, gatishmërinë e vendosur për dialogun ndërfetar, për takimin, bashkëpunimin ndërmjet feve. Është e rëndësishme që të gjithë ta shohin këtë, jo vetëm si një veprim – të themi – të frymëzuar nga motive politike, që kanë të bëjnë me situatën, por si fryt i së njëjtës bërthamë, mbi të cilën bazohet feja, pasi besimi në Zotin e vetëm, që na ka krijuar të gjithëve, në Atin tonë, besimi në këtë Zot, që e ka krijuar njerëzimin si familje, besimi se Zoti është dashuri e do që dashuria të jetë forca dominuese e botës, përmban në vetvete takimin, nevojën e tij, të dialogut, të bashkëpunimit, si kërkesë e vetë fesë.
Pika e dytë: gjeta edhe një atmosferë ekumenike mjaft inkurajuese. Kemi pasur shumë takime të përzemërta me botën ortodokse; munda të flas edhe me një përfaqësues të Kishës anglikane e me dy përfaqësues luteranë, dhe shihet që klima në Tokën Shenjte inkurajon edhe ekumenizmin.
E pika e tretë: Ka vështirësi të jashtëzakonshme – e dimë, e pamë, e dëgjuam. Por pashë edhe se ekziston një dëshirë e madhe për paqen nga ana e të gjithëve. Vështirësitë janë më të dukshme e nuk duhet t’i fshehim: ekzistojnë e duhen sqaruar. Por jo kaq e dukshme është dëshira e përbashkët për paqe, vëllazërim, e më duket se duhet të flasim edhe për këtë, duhet t’i inkurajojmë të gjithë për të gjetur zgjidhjet natyrisht jo të lehta, për këto vështirësi.
Shkova si shtegtar i paqes. Shtegtimi është element thelbësor i shumë feve. Është edhe i Islamit, i fesë hebraike, i krishterimit. Është edhe një figurë e ekzistencës sonë, është ecja përpara, drejt Zotit e kështu, drejt bashkimit të njerëzimit.
Shkova si shtegtar e shpresoj që shumë t’i ndjekin këto gjurmë e kështu, të inkurajojnë bashkimin e popujve të Tokës Shenjte, që të bëhen pastaj lajmëtarë të paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.