(18.05.2009 RV)Dikush e konsideron si takimin pas Papës, si realizimin e lutjeve
të thëna gjatë vizitës së Benediktit XVI në Tokën Shenjte, apo së paku si përpjekje
për të arritur atë që iu kërkua Zotit në të gjitha mënyrat, deri të premten që kaloi.
Është fjala për takimin e parë ndërmjet presidentit amerikan, Barak Obama dhe kryeministrit
izraelit, Benxhamin Netanijahu. Në Izrael, ku konsiderohet “misioni i jetës”
së Netanijahut, siç e quan ai vetë në një nga gazetat e vendit. Në tryezën e sotme
të bisedimeve me presidentin amerikan, bisedë që zgjati 3 orë e një çerek, kryeministri
izraelit paraqiti një përqasje të re me çështjen palestineze. Problemi është njohja
e Izraelit. Obama bën presion për formimin e dy shteteve, por Netanijahut i duhet
të ketë parasysh edhe krahun më konservator të qeverisë së tij, të sapoformuar. Irani
përbën problemin tjetër. Presidenti amerikan është i vendosur të mos përdorë forcën
kundër republikës islamike, ndërsa Izraeli dëshiron t’i japë asaj një kohë të shkurtër
për të zgjidhur problemin bërthamor me diplomaci e më pas, të ndërhyjë në një farë
mënyre. Takimi i sotëm është përgatitur me anë të kontakteve të mëparshme, jo
shumë të dukshme, ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Vetë presidenti izraelit,
Shimon Peres, që takoi dje mbretin e Jordanisë, theksoi se Izraeli është i interesuar
të rifillojë menjëherë bisedimet për paqen. Netanijahu kërkoi sot çmilitarizimin e
Çisjordanisë dhe kontrollin e hapësirës ajrore të saj nga ana e Izraelit. Por,
përtej qëllimeve e vullnetit të mirë, mbeten disa fakte kompromentuese. Pikërisht,
sot, pak orë para takimit Obama – Netanijahu, shteti hebraik vendosi të shpallë një
tender për shtrirjen e ngulimeve izraelite në Çisjordaninë veriore, në Maskiot, pavarësisht
se Shtëpia e Bardhë e konsideron këtë si pengesë për paqen.