2009-07-29 18:10:55

Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes 2010 titullohet: “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë!”.


(29.07.2009 RV)RealAudioMP3 Mesazhi i Papës për Ditën e ardhshme Botërore të Paqes, e cila do të kremtohet në janar 2010, i kushtohet temës: “Në se do të kultivosh paqen, ruaje gjithësinë!”.
Kjo temë – njofton një komunikatë e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe – synon të thellojë vetëdijen për lidhjen e ngushtë ndërmjet ruajtjes së gjithësisë e kultivimit të pasurisë së madhe të paqes, në botën tonë të globalizuar e të ndërvarur. Një lidhje e tillë e pazgjidhshme vijon të vihet në diskutim, për shkak të problemeve të panumërta, që kanë të bëjnë me ambientin natyror ku jeton njeriu, si shfrytëzimi i burimeve, ndryshimet klimaterike, zbatimi e përdorimi i bioteknologjive dhe shtimi i vazhdueshëm i popullsisë botërore. Në se familja njerëzore nuk do të dijë t’u bëjë ballë këtyre sfidave të reja me drejtësi, me ndershmëri shoqërore dhe me solidaritet ndërkombëtar – shton komunikata – krijon rrezikun e mbjelljes së dhunës ndërmjet popujve e breznive të sotme e të ardhshme, sepse “kush mbjell erën, korr stuhinë: ndërsa kush ruan gjithësinë, korr paqen!”.

Duke ndjekur këshillat që përmban Letra Enciklike ‘Caritas in Veritate’ në numrat 48-51 – nënvizon dikasteri vatikanas - mesazhi papnor na kujton se mbrojtja urgjente e ambientit duhet parë si një nga sfidat kryesore për mbarë njerëzimin: është fjala për detyrën e përbashkët dhe universale, të respektimit të pasurisë kolektive, e cila u përket të gjithëve, duke u vënë prita atyre, që duan ta përdorin, pa u ndeshkuar, sipas dëshirave dhe interesave të ngushta. Kjo përgjegjësi duhet të fitojë pjekurinë e, në përkim me globalitetin e krizës së sotme ekologjike dhe me nevojën pasuese për ta përballuar globalisht, duhet të ketë mirë parasysh se, në rendin universal të vendosur nga Krijuesi, të gjithë njerëzit varen njëri nga tjetri.
Në se njerëzimi dëshiron vërtetë të kultivojë pasurinë e pallogaritshme paqes – pohon dikasteri i Vatikanit – duhet thelluar vetëdija e ndërvartësisë, që i lidh së bashku të gjithë banorët e tokës. Një vetëdije e tillë do të luajë rol të dorës së parë për të zhdukur shumë nga shkaqet e katastrofave ekologjike e do të garantojë aftësinë për të dhënë përgjigjen e duhur, kur katastrofa të tilla dëmtojnë rëndë popujt e territoret. Çështja ekologjike – përfundon komunikata – nuk duhet përballuar thjeshtë nga frika e perspektivave rrënqethëse të zvetënitmit ambiental, që duken në horizont – por duhet parë, sidomos, si një arsye e fortë për kultivimin e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.