2009-09-26 16:03:46

Respekt për fëmijët e keqtrajtuar dhe mirëkuptim për familjet. Këtë kërkoi Papa te shtatorja e Jezusit Fëmijë të Pragës


(26.09.2009 RV)RealAudioMP3 E pikërisht për bijtë e vegjël të Hyjit, Ati i Shenjtë pati rastin të fliste gjatë vizitës në kishën e Shën Marisë së Fitores, ku nderoi shtatoren e vogël prej druri e dylli të Krishtit Fëmijë, vendosur aty që nga viti 1628. Me këtë rast, Papa dhuroi një kurorë për Fëmijën Hyjnore, që nderohet më tepër jashtë vendit se në Republikën Çeke. Gjatë përshëndetjes, Benedikti XVI kujtoi fëmijët e shfrytëzuar e të keqtrajtuar, duke kujtuar se ata janë në të vërtetë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit.
Para shtatores së Jezusit Fëmijë, veshur me këmishë të kuqe, frymëzuese e veprave si “Princi i vogël” i Saint Exupéry, Papa u lut e kujtoi familjen e Nazaretit, duke i kërkuar Zotit dhuratën e bashkimit e të mirëkuptimit për të gjitha familjet:
“Mendojmë veçanërisht për (familjet) e reja, që duhet të bëjnë shumë përpjekje për t’u dhënë bijve siguri e të ardhme të denjë. Të lutemi për familjet në vështirësi, të sprovuara nga sëmundja e dhimbja, për ato në krizë, të ndara e të plagosura nga keqkuptimet e nga tradhëtitë”.
E para Krishtit Fëmijë të Pragës, shembull i bukurisë së fëmijërisë e shenjë e parapëlqimit të Jezusit për të vegjëlit, Papa kujtoi të gjithë fëmijët fatkeqë në botë:
“Sa fëmijë nuk duhen, as pranohen, as respektohen! Sa janë viktima të dhunës e të çdo lloj shfrytëzimi nga ana e njerëzve të paskrupullt! T’u rezervohet të vegjëlve respekti dhe kujdesi që u takon: fëmijët janë e ardhmja dhe shpresa e njerëzimit”.
E njerëzimi duhet të kuptojë se çdo njeri është bir i Zotit, prandaj – theksoi Papa – është vëlla me ne e, si i tillë, duhet pranuar e respektuar:
“Shoqëria jonë duhet ta kuptojë këtë realitet! Atëherë, çdo njeri do të vlerësohej jo për atë që ka, por për atë që është, sepse në fytyrën e çdo personi, pa dallim race e kulture, shkëlqen imazhi i Zotit”.
Shtatorja e Jezusit Fëmijë të Pragës është 47 cm e lartë, e veshur me këmishë. Janë të paktën 60, veshjet e tjera të qëndisura, që janë ofruar nga besimtarët, pas një mrekullie që u ka ndodhur në hir të ndërhyrjes së Krishtit të vogël. Kulti është i përhapur në shumë anë të botës, ku ndodhen kopje të shtatores. Me origjinë në shekullin XVII, shtatorja ka ardhur nga Spanja e më pas u është dhuruar karmelitanëve të kishës së Zojës së Fitores nga princesha Poliksena e Lobkovicit në vitin 1628.







All the contents on this site are copyrighted ©.