2010-02-14 07:20:24

“Vuajtja e mrekullitë” – editorial i Atë Federiko Lombardit


(14.02.2010 RV)“Vuajtja e mrekullitë” titullohet editoriali i Atë Federiko Lombardit për të përjavshmen informative të Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Vuajtja e pranuar dhe e dhuruar, pjesëmarrja e sinqertë e pa asnjë interes në vuajtjen e të tjerëve, thua nuk janë mrekulli të dashurisë? “Kush rri për një kohë të gjatë pranë njerëzve që vuajnë, njeh nga afër ankthin e lotët, por edhe mrekullinë e gëzimit, fryt i dashurisë”.
Me të drejtë Papa deshi ta kremtojë solemnisht e ta kryesojë personalisht Meshën për ditën e të sëmurëve, e edhe të vërë në dukje me fjalët e tij, cilat janë mrekullitë e vërteteta, domethënë shenjat, që tërheqin mrekullinë, sepse ndriçojnë më thellësisht realitetin e pafundmë të vuajtjes njerëzore.
“A nuk duhet të vuante Krishti e kështu të hynte në lumninë e vet?” u thotë Jezusi dishepujve të pangushëlluar të Emausit. Në se vuajtja e tij, pambarimisht e madhe, ishte e nevojshme për ta bërë të dukshme dashurinë e Zotit, edhe ne e marrim me mend se vuajtja është vendi, ku dashuria – e vënë në provë të rëndë - duket në mënyrën më të fuqishme e më të pastër. Në ligështinë e të sëmurit rëndë shihet gjithnjë më qartë se lidhja e dashurisë, që jepet e që merret, është zbulim i vërtetë i kuptimit të një jete, që thjeshtohet në gjërat më thelbësore; të gjitha të tjerat nuk kanë më asnjë pikë kuptimi.
Nuk e dimë në se mund të mendohet një botë pa vuajtje! Në botën tonë ka një det me dhimbje, që nuk prek vetëm zemrën e njeriut, por edhe atë të Zotit, e që mund të shprehë dashuri. Por, a mund të kuptohet e të jetohet domethënia misterioze e vuajtjes, në një botë pa Zotin e pa Kryqin e Krishtit? Është pambarimisht e vështirë, ndoshta e pamundur! Prandaj vuajtja është pjesë themelore e jetës dhe e shërbimit ndaj Kishës. Për të shpëtuar shpresën e botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.