Çelësi i fjalëve të Kishës: "shlyerja e mëkateve!"
(08.04.2010 RV)Të dashur dëgjues, kemi arritur në emisionin e dyzetegjashtë
të rubrikës sonë, pikërisht në çastin kur Kisha Katolike përgatitet të kremtojë të
Dielën e dytë pas Pashkëve, Festën e Përdëllimit Hyjnor. Ungjilli i kësaj së diele
na kujton se Jezusi i Gjallë iu dukë dhe u ul në mesin e dishepujve të vet dhe u tha
“Paqja me ju”, duke u dhënë edhe pushtetin për faljen e mëkateve. Është paqja ajo
që kërkojmë edhe sot e kësaj dite. Është takimi me Jezusin, pasi paqja është dhuratë
e Krishtit të Ringjallur. Shpirtërisht jemi në paqe vetëm kur pajtohemi me Zotin.
E pajtim do të thotë pendesë e rrëfim për shlyerjen e mëkateve. “Në fuqi të Emrit
të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të”, predikon Shën Pjetri në shtëpinë
e Kornelit, episod i treguar në Veprat e Apostujve (10,43). Përmes Krishtit pra, të
gjithë shpresojmë të shlyejmë mëkatet e të pajtohemi me Zotin, për të arritur paqen
shpirtërore. Por ç’do të thotë kjo fjalë: “shlyerja e mëkateve”. Pikërisht
për këtë do të flasim sonte.
Në të gjitha fetë kremtohen rite për të fshirë
fajet e besimtarëve nga shpirti i tyre, duke rivendosur kështu, lidhjet me hyjninë,
ligji dhe vullneti i së cilës është dhunuar me mëkatin. Ky akt, i shoqëruar shpesh
nga flijime, tradicionalisht quhet “shlyerja” dhe vjen nga folja latinishte
“espiare”, që do të thotë “pastrim, riparim”. Ndërsa në hebraishten
biblike kjo fjalë është “kapper” dhe përdoret gjerësisht në solemnitetin më
të madh të shlyerjes së mëkateve, “Kippur”-i (shih Lev 16), që do të thotë
“mbulim”. Me të vërtetë, mëkati “mbulohej”, pra fshihej, largohej nga sytë
e Zotit, që rishikonte me mirësi popullin e vet. Për të kuptuar funksionin e aktit
shlyerës në Bibël, është themelore besëlidhja ndërmjet Zotit dhe popullit të vet.
Ky i fundit është shpesh i pabesë gjatë historisë, duke prishur kështu lidhjen që
e bashkon me Hyjin. Që këtej vjen nevoja e kthimit dhe e shlyerjes së mëkateve. Ajo
shfaqet si me akte flijimi, që përcaktohen nga dy terma hebraike: “hatta’at” (flijim
për mëkatin) dhe “’asham” (flijim riparimi). Përmes këtyre riteve, njerëzit
pastroheshin nga mëkatet që i kishin larguar nga rruga e Zotit dhe kishin thyer besëlidhjen
që bashkonte Izraelin me Hyjin e Gjithpushtetshëm. Por nuk mjafton flijimi. Profetët
ngulin këmbë në shndërrimin e zemrave dhe të jetës, sepse, siç thotë Psalmi 51, “flija
e vërtetë për Hyjin është shpirti i penduar” (Ps 51,19). Në këtë linjë orientohet
edhe këndvështrimi i krishterë mbi shlyerjen e mëkateve, që e ka pikënisjen në figurën
e Krishtit, në vdekjen e tij si flijim dhe në ringjalljen e mëpasme. Falja e mëkateve
nuk arrihet pra me një sërë ritesh për shlyerjen e tyre, por përmes dhurimit të vetvetes,
që bën Krishti në Kryq. Do të ishte mirë të lexohej pjesa qendrore e Letrës drejtuar
Hebrenjve (kap 5-10), ku Jezusi, meshtar i përsosur dhe i mëshirshëm, “i cili s’ka
nevojë, sikurse ata, Kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli
më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e
përgjithmonë kur e flijoi vetveten” (7,27). Kur kremton darkën e mbrame,
Krishti thotë qartë duke ngritur kelkun e verës eukaristike se ky është “gjaku
im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve”
(Mt 26,28). Me këtë, Jezusi ripohon atë që kishte thënë gjatë misionit të tij
publik: “Biri i njeriut erdhi të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk
10,45). Ky akt i tejetlartë i shlyerjes së mëkateve të botës lind nga bindja e Tij
para planit të drejtësisë e të dashurisë së Atit (në gjuhën biblike “drejtësia” hyjnore
tregon shëlbimin): “Atë Hyji e caktoi të jetë, në sajë të fesë, fli pajtuese me
anë të gjakut të vet. Deshi kështu të tregojë drejtësinë e vet” (Rm 3,25). Shën
Gjoni, në Letrën e tij të parë, do ta përsërisë këtë me forcë: “Jezu Krishti, i
Drejti është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe
për të mbarë botës” (1 Gjn 2,2). Kjo bëhet për hir të dashurisë, e cila ngarkon
mbi Birin e Hyjit peshën e fajeve tona, për të na çliruar prej tyre e për t’i fshirë
përgjithmonë. Thotë shën Gjoni: “Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi
dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese
për mëkatet tona” (4,10).