2010-04-19 13:45:26

Atë Ceccarelli S.J.: Seminari është vepër e Hyjit e fryt i bashkëpunimit njerëzor


(19.4.2010 RV)Përshëndetja e Rektorit Atë Ceccarelli, jezuit, me rastin e 150 vjetorit të Seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër

Mirëserdhët e faleminderit për praninë tuaj!
Janë fjalët më të thjeshta që më vijnë nga zemra...
Unë i drejtoj një përshëndetje të veçantë Hirësisë së Tij Kardinal Zenon Grocholewski, i cili e ka pranuar ftesën e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare për këtë kremtim. Përshëndes Ipeshkvijtë e Konferencës Shqiptare, Presidentin e saj dhe anëtarët e tjerë...
Përshëndes përfaqësuesit e Kishës Autoqefale Ortodokse, Drejtorin e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Imzot Nikolla e pedagoget që janë me të. Famullitarin Orthodoks të Shkodrës, Atë Aleksander Petani dhe Atë Nikolla Petani.
Përshëndes Autoritetet që kanë pranuar ftesën e këtij kremtimi ....

Jam shumë i nderuar që hap këtë takim Përkujtimor për 150 Vjetorin e Themelimit të Seminar Papnor Shqiptar: 1859-2009: jemi brenda vitit përkujtimor.
Po e marr fjalën në këtë moment fillestare si një rast për të shprehur se me çfarë shpirti ne, Ekipi formativ dhe seminaristët e pranishëm këtë vit, po e përjetojmë këtë përvjetor.
Para së gjithash për ne, që Provania na ka vendosur pas shumë breznish formatorësh – unë jam Rektori i njëzet e gjashtë – këto 150 vjet jetë janë një trashëgimi që, në dritën e besimit, ka dy përbërës:



Ndryshimet shoqëroro-politike që kanë ndodhur gjatë këtyre 150 vjetëve kanë vënë në provë më shumë se një herë institutin e Seminarit Shqiptar, por, në saj të një plani të mistershëm të Hyjit dhe për një vullnesë njerëzore, ai jo vetëm ka mbijetuar, por ka rigjetur gjallëri të re për të vazhduar misionin e vet.
Skanografia, që e kanë përgatitur studentet e Filozofisë dhe Teologjisë e cila ka qenë shfaqur dje mbrëmje, shprehi pikërisht se nga vitet të kaluar në Seminar disa klerikë kanë gjetur forca për t’i përballuar sprovat më të ashpra. E pikërisht nga këto prova, të përjetuara në dritën e misterit të Pashkës, së Krishtit të vdekur e të ngjallur, tani jeta e Kishës vazhdon dhe përvoja fetare përparon.
Kjo na bën të themi në të vërtetë që ky institut është bërë, gjatë kësaj kohe, një vend kishtar, ku shumë bij shqiptarë kanë provuar dhe vazhdojnë të provojnë bukurinë e ndjekjes së Jezusit dhe janë të gatshëm për të vazhduar misionin e Tij meshtarak për këtë popull dhe në Kishë. Me ndjenja habie dhe mrekullimi i kujtojmë të gjithë ata meshtarë që, të formuar në këtë seminar, kanë ushtruar shërbesën e tyre në mes të shumë vështirësive, duke duruar përndjekjet çnjerëzore; disa prej tyre e kanë lavdëruar Zotin me flijimin e jetës së vet.
Për këtë arsye me ndjenjë habie dhe mrekullimi ndihemi të thirrur për të vepruar për rritjen dhe pjekjen në rrugën e meshtarisë së brezave të rinj.
Duke ia hedhur sytë historisë së këtij Seminari, me fazat e tij të lindjes, të vdekjes dhe të rilindjes, shohim se në të është konfirmuar logjika e Mbretërisë së Hyjit, që vetë Jezusi në Ungjill e ka krahasuar me “farën e vogël”, që është zanafilla e një ngjarjeje tashmë më shumë se një shekullore. Një farë e vogël me përmasa të mëdha, sa një lis, por që me siguri ka marrë pamjen e një ulliri, që, edhe pse me përmasa të vogla, është i qëndrueshëm dhe besnik në lidhjen e fryteve. Pikërisht prej përvujtërisë së ullirit, ne që kemi përgjegjësinë e formatorit në këtë kohë, marrim zemër ta vazhdojmë këtë vepër, duke u mbështetur sidomos në ushqyerjen e vazhdueshme që vjen nga hiri i Hyjit dhe nga bashkëpunimi vëllazëror.
Dhe për këtë arsye kremtimi i sotëm nuk është për ne vetëm një kujtim nostalgjik i të kaluarës, por rasti për një hov të ri drejt të ardhmes; për ne ndizet shpresa që të mund të sjellim praninë e Kishës, në një vend ku botëkuptimi katolik bëhet tharm bashkësie, një vend shkëmbimi dhe dialogu me vëllezërit tanë Ortodoksë dhe afërsie me Myslimanët, tashmë të përgatitur në mënyrë profetike nga studimi dhe përvoja e Atë Gjovanni Fausti në vitet tridhjetë. Na jep mbështetje fakti sesi në këto vite janë pranuar mirë disa propozime takimi dhe bashkëpunimi nga vëllezërit tanë Ortodoksë të Akademisë Teologjike të Durrësit.


Për këtë arsye nuk mund të mos u jam thellësisht mirënjohës të gjithë atyre që na kanë paraprirë në detyrën formative. Disa janë ende gjallë, por për shkak të moshës apo të shëndetit nuk kanë mundur të jenë të pranishëm sot. Pjesa më e madhe e tyre na vështrojnë nga lart dhe më vijnë ndër mend Etërit G. Fausti, D. Dajani; A. Luli e Gj. Vata.
Mirënjohje ndaj barinjve të Kishës që është në Shqipëri, si për ata që e kanë dashur krijimin e një institucioni të tillë në jug të Ballkanit, ashtu edhe për barinjtë e sotëm, të cilët vazhdojnë ta vënë besimin e tyre në faktin që, përveç një formimi të mirë intelektual, këtu forcohet edhe ajo miqësi në Zotin dhe ajo njohje e ndërsjellë aq të nevojshme për të punuar në bashkësi gjatë shërbimit baritor.
Një falënderim shumë të ndier për të gjithë mësimdhënësit dhe për të gjithë ata që janë të angazhuar në formimin intelektual të atyre që po përgatiten për meshtari: e kemi për detyrë të jemi mirënjohës ndaj atyre që, dhe nuk janë të paktë, krahas mësimdhënies kanë edhe përgjegjësi e angazhime baritore në dioqeza apo bashkësi të ndryshme.
Mirënjohje për të gjithë ata të rinj, dioqezanë, rregulltarë e rregulltare, që kanë jetuar këtu, sidomos në fazën e parë pas regjimit komunist. Prej shugurimeve të para meshtarake, që janë bërë në vitin 2000 deri më sot, mund të numërojmë 22 meshtarë dioqezanë dhe 20 meshtarë rregulltarë, të cilët pranë nesh kanë pasur mundësi të ndjekin, krejt apo pjesërisht, studimet në Filozofi e Teologji. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për familjet, prej nga kanë ardhur këta meshtarë dhe seminaristë.
Nuk na duket rastësi përkimi (koincidenca) i 150 vjetorit të Themelimit të Seminarit Papnor me 150 vjetorin e vdekjes së Famullitarit të Arsit dhe pra përkimi (koincidenca) i këtij kremtimi që bie në vitin e dedikuar shenjtërimit të meshtarëve. Një përkim (koincidencë) që i jep momentit tonë kremtues një harmoni të veçantë me nxitjen e Shenjtërisë së Tij Papa Benedikti i XVI: besnikëria e Krishtit, besnikëri e Meshtarit.
Me shpirtin plot shpresë do ta vazhdojmë veprën formative të vetëdijshëm se vazhdojmë të kemi të bëjmë me “farëra shenjtërie”, siç na dëshmojnë ata të cilët shpejt shpresojmë të mund t’i kremtojmë si martirë; të vetëdijshëm se jemi të thirrur për të punuar në Seminar si në “ullishtën e Hyjit”, “Çenakullin dhe Kopshtin e të Enjtes së Madhe”, ku, nën shembullin e Jezusit që në dëgjesë ndaj Atit ua dhuron trupin e Vet të tijve me qëllim që ata të formojnë një Trup të vetëm, edhe ne së bashku me seminaristët e sotëm, persona të zakonshëm apo të rinj në kërkim, përpiqemi ta realizojmë jetën tonë duke e dhuruar atë për jetën e botës.
Përpara syve tanë shpesh mund të kemi vetëm klimën e festës së ditës së Shugurimit apo të përkujtimeve të mëdha, por shikimin tonë duhet ta ngulim sidomos në shërbimin baritor të zakonshëm dhe besnik, jo domosdoshmërisht që bie në sy, dhe që karakterizon thirrjen e meshtarit dioqezan, shumë afër njerëzve dhe të rrënjosur në Hyjin, që është zanafilla e farës.
Atëherë leximi ynë plot fe në simbolin e farës bëhet qartësi: Hyji është besnik ndaj farës që Ai vetë mbjell dhe dhuron, dhe na bën që ta sodisim frytin në shumë jetë meshtarake të realizuara në plotësi dhe thjeshtësi.
Eprori i Përgjithshëm, Ati ynë Gjeneral ka dashtë të na dërgojë një mesazh të tij për kremtimin tonë nëpërmjet një këshilltari të tij, atë Eugenio Costa, dhe që po ua lexoj.

Emri i ri që Seminari ka marrë me rastin e rihapjes në shkurt 1993, “Mater Boni Consilii” “Nëna e Këshillit të Mirë”, na tregoj se kujt duhet t’i drejtohemi për të qëndruar besnikë besnikërisë së Hyjit. Asaj ia besojmë të gjithë ata që kanë kaluar nëpër këtë seminar dhe ata që Hyji, Zoti i të korrave, do t’i frymëzojë për të trokitur në dyert tona, për t’u bërë Meshtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.