Nesër Kisha do të kujtojë pesëvjetorin e fillimit të papnisë së Benediktit XVI
(23.4.2010 RV)Më 24 prill, pesë vjet më parë, Benedikti XVI përuronte papninë
e tij, duke kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit, të mbushur si asnjëherë me shtegtarë
e besimtarë, Meshën e fillimit të papnisë. Në homelinë e gjatë e të thellë, mbajtur
gjatë këtij kremtimi të jashtëzakonshëm, papa i posazgjedhur tregoi qartë atë thellësi
mendimi, që do të ishte shenjë dalluese e të gjitha mësimeve të tij të mëtejshme.
Rikthehemi me kujtesë në këtë ditë, për të dëgjuar sërisht fjalët më domethënëse,
që u shqiptuan pesë vjet më parë, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin drejtuar sytë
e mbarë njerëzimit e ku ishin ulur pranë e pranë, njerëzit më të fuqishëm të botës,
miq e kundërshtarë. Papa ka misionin
t’u flasë shpirtrave. Por në se njeriu dëshiron të dëgjojë duke folur shpirtin e një
pape, të prekë me dorë ndjenjat më të thjella njerëzore, mendimet më intime shpirtërore,
mund ta bëjë këtë në një kohë e në një vend të papërsëritshëm: në Meshën për fillimin
e papnisë, kremtim në të cilin Kryebariu i ri i drejtohet për herë të parë grigjës,
si kryeprijës. Fjalët e shqiptuara në këtë ditë, janë si vetëtimë në errësirë, një
rreze e fuqishme drite, që ndriçon në një çast të vetëm atë, që do të ndodhë në ditët,
në muajt e në vitet e ardhshme. Në këtë kremtim të posaçëm Papa i ri ofron frytet
e para të shpirtit të tij e të humanitteit të tij, të karakterit të tij e të kulturës
së tij, në një sintezë, që përpiqet të gjejë fjalët e nevojshme për të komunikuar
misterin privat, të cilin një tymnajë e bardhë e bëri universal: qenien Mëkëmbës i
Krishtit mbi tokë e, njëkohësisht, Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit; alfa e omega
e një shërbimi, të pashoq në botë. Pas pesë vjetësh, na rikthehet në veshë e në
zemër jehona e asaj, që ndodhi në Sheshin e Shën Pjetrit, më 24 prill 2005: “E
tani, në këtë çast, unë, shërbëtor i ligshtë i Hyjit, duhet ta marr mbi vete këtë
detyrë të pashembullt, që e kapërcen çdo aftësi njerëzore. E si mund ta bëj këtë?
Si do të jem në gjendje ta bëj? Ju të gjithë, miq të dashur, sapo u jeni lutur aradheve
të shenjtorëve, të përfaqësuar prej disa emrave të mëdhenj të historisë së Hyjit
me njerëzit. Në këtë mënyrë, edhe në shpirtin tim ngjallet kjo vetëdije: nuk jam i
vetem! Nuk do ta mbart i vetem këtë barrë, të cilën në të vërtetë nuk do të mund ta
mbartja kurrë i vetëm. Aradhet e shenjtorëve të Hyjit më mbrojnë, më ndihmojnë e më
mbajnë në krahë. E lutja juaj, miq të dashur, ndjesa juaj, dashuria juaj, feja juaj
e shpresa juaj më shoqërojnë”. Në këtë ditë Papa i ri i komunikoi Kishës
sidomos një të vërtetë të madhe: Je e re. Si ata të rinj e tashmë jo aq të rinj,
të cilët për ditë me radhë, në një lumë vigan e durimtar njerëzor, i dhanë puthjen
e fundit e i thanë lutjen e fundit Gjon Palit II. Nën hijen e Papës së madh u ndje
një fillesë e re, foli një papë i ri, fjalët e të cilit karakterizoheshin kryesisht
nga përvujtëria. Në kremtimin e parë eukaristik të papnisë, Papa Racinger theksonte
posaçërisht lidhjen e ngushtë ndërmjet Shën Pjetrit e Pasardhësit të Tij. Ishte një
çast tepër i fortë ai i një viti më parë, kur mbi supet e Papës u vendos Palio-ja
dhe iu dorëzua Unaza e Peshkatarit, dy simbolet kryesore të papnisë dhe Benedikti
XVI shpalosi programin e tij para 300 mijë besimtarëve: “Programi i vërtetë
i drejtimit është ai që të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia por, me
të gjithë Kishën, të vihem në dëgjim të fjalës e të vullnetit të Zotit e ta lë veten
të udhëhiqem prej Tij, kështu që ta udhëheqë Ai vetë Kishën në këtë orë të historisë
sonë”. Një fjalë tjetër kyçe e Papnisë, ishte afërsia me njeriun. Vikari
i Krishtit duhet ta ndjekë Mësuesin në kërkim të deles së humbur, sepse në këtë botë
ka shumë shkretëtira: “Ekziston shkretëtira e mungesës së Zotit, e zbrazjes
së shpirtrave që nuk e kanë më vetëdijen e dinjitetit e të rrugës së njeriut. Shqetësimi
i shenjtë i Krishtit duhet të jetë shqetësimi i bariut: ai nuk i shikon me indiferencë
njerëzit e shumtë, që vijojnë të jetojnë në shkretëtirë. E shkretëtira ka një mori
formash. Ka formën e varfërisë, të urisë, e të etjes, të braktisjes, të vetmisë, të
dashurisë së shkatërruar”. Afërsia me njeriun – na kujton Papa - kërcënohet
nga lakmia e nga hipokrizia e pushtetit, që premton çlirim. Por, nuk është pushteti
ai që të shpëton. Njeriun mund ta shpëtojë vetëm dashuria, mund ta shpëtojë Zoti që
u bë qengj e që na thotë se botën e shpëton i Kryqëzuari e jo kryqëzuesit”. Prandaj
– theksoi Papa i ri - thesaret e tokës nuk janë më në shërbim të ndërtimit të kopshtit
të Hyjit, në të cilin të gjithë mund të jetojnë, por u shërbejnë forcave shfrytëzuese
e shkatrrimtare. Kisha në tërësi, e barinjtë në gjirin e saj, ashtu si Krishtit,
duhet të vihen për udhë, për t’u prirë njerëzve jashtë shkretëtirës, drejt vendeve
ku ka jetë, drejt miqësisë me birin e Hyjit, drejt Atij që dhuron jetë, e jetë me
begati”. Benedikti XVI kujtoi fjalët që Jezusi ia tha Pjetrit: “Kulloti delet e
mia!”. Të kullotësh do të thotë të duash, e të duash do të thotë edhe të jesh gati
të vuash. Të duash do të thotë: t’u japësh deleve atë që është vërtetë e mirë, t’i
ushqesh me të vërtetën e Hyjit, me fjalën e Hyjit, me praninë e tij, me shujtën që
na dhuron në të Shenjtnueshmin Sakrament. Njeriu shpesh beson se është i lirë. Ndërsa
Papa na kujton se jetojmë si të sëmurë, në errësirë, në vuajtje e në vdekje. Ja, atëherë,
detyra e të krishterëve: “Ne ekzitojmë për t’u treguar Hyjin njerëzve.
E vetëm atje ku shihet Zoti, fillon vërtetë jeta. Vetëm kur në Krishtin takojmë Hyjin
e gjallë, kuptojmë ç’do të thotë jetë. Nuk jemi prodhim rastësor e pa kuptim i evolucionit.
Secili nga ne është fryt i një mendimi të Hyjit. Secili nga ne është i dëshiruar,
secili është i dashur, secili, i nevojshëm. S’ka gjë më të bukur se të prekesh nga
hiri i Ungjillit, i vetë Krishtit. Gjë më të bukur s’ka, sesa ta njohësh Krishtin
e t’ua komunikosh edhe të tjerëve dashurinë e tij”. “Vetëm përmes kësaj
miqësie” – pohon Papa – ne provojmë gjithçka është e bukur, gjithçka të çliron. Fjalët
e fundit të homelisë ishin thirrje drejtuar besimtarëve për t’u lutur: “Lutuni
për mua, që të mësoj ta dua gjithnjë më shumë grigjën e Krishtit – ju, Kishën shenjte,
secilin nga ju personalisht, e të gjithë së bashku. Të dashur miq! … lutuni për mua,
që të mos ik nga frika, përballë ujqërve”. E edhe një fjalë drejtuar të
rinjve: “Kështu, sot, dëshiroj, me forcë të madhe e bindje të madhe, të nisem nga
pervoja e jetës sime të gjatë, për t’ju thënë juve, të rinj të dashur: mos kini frikë
nga Krishti! Ai nuk ju merr asgjë e ju dhuron gjithçka. Kush ia dhuron atij vetveten,
merr njëqindfishin. Po, hapjani, në dy kanatat, portat Krishtit – e do të gjeni jetën
e vërtetë. Amen!