2010-08-27 18:10:03

Dialogu ndërmjet feve, sot, në Mitingun e Riminit. Intervistë e kardinalit Toran


(27.08.2010 RV)Dialogu ndërmjet feve ishte sot paradite, në qendër të vëmendjes në Mitingun e Riminit. “Kush beson, takohet”, titulli i konferencës, gjatë punimeve të së cilës folën edhe kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; Shodo Habukava, murg budist e pedagog në Universitetin e Koiasanit si dhe Tarek Ubru, hoxha i xhamisë së Bordosë, në Francë. Të ndjekim intervistën dhënë Radio Vatikanit nga kardinali Toran:RealAudioMP3

Përgjigje: - U përpoqa të tregoj se, para së gjithash, nuk janë fetë që dialogojnë, por besimtarët: njerëz fare normalë, pra, me të njëjtat probleme. E këta njerëz, duke qenë besimtarë, kanë edhe një trashëgimi vlerash të përbashkëta, që u krijon mundësinë të kuptojnë jo vetëm se jemi të gjithë vëllezër, por edhe bij të Zotit. Kur besohet, për shembull, se çdo njeri ka marrë nga Krijuesi dinjitet unik; kur besohet në shërbimin ndaj të afërmit, ndaj një njeriu, që nuk e zgjodhe ti vetë, por të erdh në shteg; kur besohet se Toka dhe pasuritë e saja janë lënë në duart e njeriut, për t’i shërbyer së mirës së përbashkët: e gjithë kjo tregon se kemi për të thënë shumë gjëra të përbashkëta. Fetë nuk janë burim përçarjeje, janë besimtarët që e tradhtojnë, nganjëherë këtë trashëgimi. Atëherë kush beson e takohet, duhet të jetë besimtar i palëkundshëm, në mënyrë që t’i çojë përpara katër detyrat e tij kryesore: pedagogjinë e të jetuarit së bashku; propozimin për ta dalluar të mirën nga e keqja; kujtimin e të drejtave e të detyrave, njëherësh me pasionin për të shërbyer e, së fundi, pergjegjësinë qytetare, që ka secili, sepse jemi besimtarë, por edhe qytetarë. Nuk jemi besimtarë ose qytetarë, por besimtarë e qytetarë njëherësh. E, natyrisht, gjëja më e rëndësishme, është dëshmia fetare, sepse ne nuk përhapim vlera humaniste: ne, të krishterët, përhapim kryesisht vlerat ungjillore. E atëherë do të thosha se ne, besimtarët, takohemi me historinë e sotme; e ka rëndësi që vëllezërit tanë, njerëz si ne, të kuptojnë atë, që shikoj këtu, para nesh “Portën e lumnisë”: në fund të udhës, është Dikush që të pret. Mendoj se ky është mesazhi që ne, besimtarët, duhet t’ua përcjellim të gjithëve.

Pyetje: - Dialogu ndërmjet feve, madje ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, është i rëndësishëm edhe për sigurimin e paqes…

Përgjigje: - Sigurisht, sepse po të mos jemi të aftë të jetojmë në paqe brenda bashkësive tona, ndërmjet nesh, do të thotë se paqja është e pamundur. Ndërsa ne e dimë se është e mundur! E them gjithnjë se Zoti na bëri dy dhurata të mëdha: na dha mend, për të kuptuar e zemër, për të dashur. Me mendjen e me zemrën tonë, ne mund t’ia ndryshojmë faqen botës.
 

 
Pyetje: - Edhe vetë Mitingu titullohet “Është zemra ajo, që na shtyn të bëjmë vepra të mëdha”. Është zemra, që kthehet në rrugën e Zotit; zemra, që ëndërron gjëra të mëdha, si paqja. Një zemër e tillë, mund ta ndërtojë paqen…

Përgjigje: - Ta ndërtojë e ta ndryshojë botën. Ne duhet të kalojmë nga frika prej tjetrit, në frikën për tjetrin, gjë që do të thotë se kur vëllait tim nuk i sigurohen të drejtat, kur keqtrajtohet, shqetësimi i tij është imi, unë vuaj me e për të. Duhet kaluar, prandaj, nga frika prej tjetrit, në frikën për tjetrin!







All the contents on this site are copyrighted ©.