Më 12 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar
Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në Marke. Prindërit e tij: Girolamo
Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por edhe tepër të
varfër. Nuk munden, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija shumë shpejt
u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan vitet e para
të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan të Tolentinos.
Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë dhe bëri noviciatin
në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht nga vullneti
i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave që i besoheshin,
nuk ia dilte mbanesh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët nuk ia kursenin
vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj gjithnjë çdo qortimi
me një butësi çarmatosëse. Mbeti gjithë jetën i varfër, i përvujtë, i pastër, i gatshëm
për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët. Gjatë kryerjes së detyrës
si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave shoqërore, diti gjithnjë të
gjejë fjalët e përshtatshme e për secilin, të sillej me delikatesë, duke pasur një
dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit, t’u hapte jo vetëm portën e
kuvendit, po sidomos atë të Parrizit.
Në vitin 1590 Serafini u vendos përfundimisht
në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin 1602, kur u përhap lajmi mbi
transferimin e tij të mundshëm, autoritetet i shkruan eprorëve të mos e largonin.
Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim të jashtëzakonshëm mbi të
gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante, zhdukte urrejtjen,
edukonte virtytet.
Lutej, punonte, duronte, ndërsa krahas lëvdatave, nuk i
munguan kurrë as qortimet. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma e Hyjit, të cilin
e pat gjithnjë pranë kudo punonte: në kuzhinë, te porta, në kopsht. Zoti i dha hirin
të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të gjithë. E ai ishte gjithnjë i kënaqur,
në sa dinte të lexonte vetëm dy libra: të Kryqëzuarin e Rruzaren. Ishte 64 vjeç
e fama e shenjtërisë së tij i kishte kaluar kufijtë e Askolit, kur kërkoi me ngulm
vajimin shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë
pasi kishte marrë shujtën e shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes, zëri
i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës Pali
V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga Klementi
XIII, më 16 korrik 1767.