Më 13 dhjetor kalendari përkujton Shën Luçinë, virgjër e martire
(13.12.2010 RV)Sot më 13 dhjetor kalendari Kishtar kremton festën e Shën Luçisë, virgjër
e martire. Luçia është shenjtore guximtare e besnike ndaj besojmës së saj në Krishtin
Zot e Shëlbues, me një jetë të ndritur e tragjike, që frymëzoi faqe të tëra të hagjiografisë
së lashtë, të cilat lexohen me një frymë, si roman. Shën Luçia nderohet shumë kudo
në botë. Emri i saj, që në shqip përkthehet Dritë, është mjaft i përhapur edhe
në Shqipëri. Besimtarët shqiptarë i kanë ngritur që kur një Kishë katedrale në qytetin
bregdetar të Durrësit. Kujtojmë se shën Luçia jetoi në fillim të shekullit IV
të epokës së krishterë, në Sirakuzë.
Ngjarja që shënoi kthesën e madhe në
jetën e saj ishte shtegtimi së bashku me nënën e sëmurë në Katania të Italisë, për
të marrë pjesë në përkujtimin e martirizimit të Shën Ages. U gjunjëzuan së bashku
mbi varrin e martires dhe u lutën për shërimin e të sëmurës. Luçia ra në një dremitje
të thellë. Iu duk, si në ëndërr, Agia virgjër e i tha: "Luçí, motra ime, pse ma kërkon
mua, atë që e ke fituar vetë? Ja, për hir të fesë sate, jot ëmë është shëruar. Ashtu
si Krishti e lumnoi nëpërmjet meje qytetin e Katanies, ashtu do të lumnojë nëpër ty
qytetin e Sirakuzës, sepse me virgjërinë tënde i ke përgatitur një banesë të këndshme
Zotit”. Kur vajza u zgjua nga gjumi, mrekullia ishte kryer. E ajo vendosi t'ia
kushtonte gjithë jetën Zotit!Shën Luçia, Pajtore e njerëzve që vuajnë nga sëmundjet
syve, u martirizua njëmijë e shtatëqind vjet më parë, gjatë persekutimeve të Dioklecianit
rreth vitit 304.