2011-01-14 17:48:05

Papa i Lum: entuziazëm në takimin përgatitor të DBR-së në Madrid. Festa e procesione në Poloni.


(14.01.2011 RV)Fjala, që dëgjohet më shumë, është “fantastike”. Në të gjitha gjuhët e botës! Gjon Pali II do të shpallet i Lum e të rinjtë e DBR-së, nuk mund të mos festojnë. Në kryeqytetin spanjoll është në vijim e sipër takimi II përgatitor i ngjarjes e në Eskorial, siç quhet pallati i lashtë i Perandorit Filipi II, janë mbledhur delegacionet e 84 Konferencave ipeshkvnore kombëtare si dhe përfaqësuesit e 44 lëvizjeve e shoqatave. Lajmi i madh arrin mes tyre nga fundi i punimeve të paradites e, natyrisht shpërthen menjëherë entuziazmi. Dëgjohen brohoritje: “Më 1 maj do të jem në radhë të parë, në Romë!”; “Fantastike”; “Nuk kam pasur kurrë dyshime për shenjtërinë e Gjon Palit II”. “Por ta shikosh të pranuar edhe nga Kisha, është vërtetë prekëse”.
Këto, vetëm pak nga reagimet e nxehta të 300 delegatëve, që përgatisin takimin e ardhshëm të DBR-së, i cili do të mbetet, pa dyshim, shpikja më e madhe e papnisë së Karol Vojtilës.
“Jemi të rinjtë e Tij, prandaj sot nuk mund të mos festojmë e të lutemi për Të - brohorasin të rinjtë. E ndjenjat e tyre i përmbledh kardinali Stanislao Rilke, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët e dëshmitar pamor i lindjes së DBR-së.
“Jam i lumtur e i prekur thellë nga ky lajm – deklaroi kardinali polak - e posaçërisht nga koha kur e mora, në sa përgatitemi për DBR-në. Karol Vojtila ka qenë gjithnjë mik i ngushtë e i të rinjve, por mik kërkues, e thirrja e tij për t’i mbledhur djemtë e vajzat e mbarë botës, ka vlerë edhe për sot, për epokën e internetit e të rrjeteve shoqërore. Ishte vërtet një vendim profetik, krejtësisht kundër rrymës, që vijon të japë frytet e veta. Fryte shenjtërie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.