2011-01-17 16:11:53

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: do të jetë gëzim për mua ta shpall të Lum Gjon Palin II. Thirrje për t’i mikpritur e për t’i mbrojtur emigrantët.


(17.01.2011 RV)Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI foli për Lumnimin e afërt të paraardhësit të tij të dashur, Gjon Palit II, duke shprehur edhe gëzimin për këtë ngjarje të madhe, të shumëpritur. E duke përshëndetur besimtarët polakë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, i ftoi ta presin lumnimin e bashkatdhetarit të tyre të madh me një përgatitje të thellë shpirtërore.
Në Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, Benedikti XVI nënvizoi se Kisha e jeton në vetë të parë përvojën e emigracionit dhe kërkoi të mbrohen si emigrantët, ashtu edhe ata, që i ndihmojnë. Mendimi i Papës shkoi, më pas, në zona të ndryshme të botës, ku shumë njerëz janë dëmtuar rëndë nga përmbytjet.

Shkëlqente një diell gati pranveror mbi Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë. Atmosfera festive tingëllonte si prelud i ngjarjes së pritme, një nga më të paharrueshmet në historinë e Kishës. Kështu e quajti Papa lumnimin e ardhshëm të Karol Vojtilës, ngjarje për të cilën Benedikti XVI foli për herë të parë publikisht. Papa u kujtoi besimtarëve emocionin e thellë, që provoi të premten e kaluar, kur shpallej ky eveniment:
Të dashur vëllezër e motra, siç e dini, më 1 majin e ardhshëm do të kem gëzimin të shpall të Lum të Nderuarin Gjon Pali II, paraardhësin tim të dashur. Kuptimplote, data e zgjedhur: e Diela II e Pashkëve, që ai vetë e quajti e Mëshirës Hyjnore, natën e së cilës kreu shtegtimin e vet tokësor. Ata që e njohën, që e nderuan e që e deshën nuk mund të mos gëzohen së bashku me Kishën për këtë ngjarje të madhe. Jemi të lumtur!”.
E për Lumnimin e Papës Vojtila, Benedikti XVI foli përsëri, duke përshëndetur besimtarët polakë:
“Ta wiadomość była bardzo oczekiwana przez…”
Ky lajm – pohoi – pritej me padurim nga të gjithë e, në mënyrë të posaçme, nga ju, që e patët Gjon Palin II prijës besnik në rrugën drejt së vërtetës e lirisë. Ju uroj, përfundoi Papa – një përgatitje të thellë shpirtërore për këtë ngjarje.
Para se të fliste për Lumnimin e Papës Vojtila, Benedikti XVI kujtoi Ditën Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që Kisha e kremtoi pikërisht dje. Shpesh – vërejti Ati i Shenjtë - njerëzit detyrohen të marrin udhët e mërgimit, në kushte dramatike, të shtyrë nga luftërat e persekutimet. Ashtu si prindërit e Jezusit, që u detyruan të iknin në Egjipt për të shpëtuar jetën e Foshnjes së tyre:
“Mesia, Biri i Zotit, ishte refugjat. Kisha e jeton në gji të saj përvojën e emigracionit. E, për fat të keq, nganjëherë të krishterët detyrohen të largohen nga trojet e veta, duke i varfëruar, kështu, vendet, ku jetuan etërit e tyre”.
Nga ana tjetër, vijoi Ati i Shenjtë, shpërnguljet vullnetare të të krishterëve janë një rast i përshtatshëm për të gjallëruar veprimtarinë e kumtimit të Fjalës së Zotit dhe krijojnë kushte që dëshmia e fesë të qarkullojë më shpejt e më mirë në të gjithë Korpin mistik të Krishtit, duke depërtuar në popuj e kultura e duke hapur kufij të rinj, mjedise të reja. Ofroi, kështu, një reflektim për temën e Ditës: “Një familje e vetme njerëzore”:
“Temë, që tregon qëllimin, cakun e shtegtimit të madh të njerëzimit në shekuj: të formojë një familje të vetme, natyrisht me të gjitha ndryshimet, të cilat e pasurojnë, por familje pa mure, ku njerëzit e shikojnë njëri-tjetrin si vëllezër”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi Koncilin II të Vatikanit, për të nënvizuar se “Kisha është mjet i bashkimit të thellë me Zotin e me të gjithë gjininë njerëzore:
“Prandaj ka shumë rëndësi që të krishterët, ndonëse të shpërndarë në mbarë botën e, për këtë arsye, me kultura e tradita të ndryshme, të jenë një gjë e vetme, ashtu si dëshiron vetë Zoti. E ky është edhe qëllimi i “Javës për bashkimin e të krishterëve”, që do të kremtohet pas pak ditësh, nga 18 deri më 25 janar”.
Një javë - vërejti Papa – së cilës i paraprin Dita e Dialogut hebraiko-kristian, që na kujton rëndësinë e rrënjëve të përbashkëta, të cilat i bashkojnë fort hebrenj e të krishterë. Duke iu drejtuar Virgjërës Mari, Ati i Shenjtë ia besoi ndërmjetësisë së saj të gjithë mërgimtarët, si dhe ata që impenjohen në veprimtari baritore në ndihmë të tyre, duke kujtuar posaçërisht përfaqësuesit e Bashkësisë së mërgimtarëve të Qytetit të Romës, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, me flamujtë e tyre kombëtarë. Ndërmjet tyre, binte fort në sy një Flamur i mëndafshtë i kuq, me shiponjën e zezë, që rrihte papushim flatrat në zemrën e Kishës katolike, në Sheshin e Shën Pjetrit, në duart e një mërgimtari katolik shqiptar.
Në përfundim të lutjes, Papa u shprehu afërsinë e tij të posaçme popullsive të Australisë, Brazilit, Filipineve e Sri Lankës, vende të cilat kohët e fundit u dëmtuan rëndë nga përmbytje shkatrrimtare:
Zoti i pranoftë shpirtrat e të vdekurve, u dhëntë forcë të shpërngulurve e ndihmoftë të gjithë ata, që përpiqen për të lehtësuar vuajtjet e vështirësitë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.