2011-03-07 16:43:45

Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: asistencë e ndihmë për popullsitë e Libisë.


Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, përplot me besimtarë e shtegtarë nga vende të ndryshme të Italisë e të botës, Benedikti XVI kujtoi, me emocion të thellë, ministrin pakistanez, Shahbaz Bhati, vrarë të mërkurën e kaluar nga një grup fanatikësh islamikë. Ati i Shenjtë uroi që vdekja e tij të zgjojë në ndërgjegjet e të gjithë besimtarëve, impenjimin për të mbrojtur lirinë fetare. Më pas, mendimi i Benediktit XVI shkoi në Libinë e tronditur rëndë nga vringëllimat e armëve, duke e siguruar popullsinë e këtij vendi kaq të vuajtur, për praninë në lutjet e në kujdesin e tij. Para thirrjeve, Papa u ndalua posaçërisht tek Fjala e Zotit, që duhet të jetë në qendër të vëmendjes në jetën e gjithë të krishterëve.

Benedikti XVI është pranë të gjithë njerëzve, të krishterë ose jo, që vuajnë për shkak të dhunës. Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa nënvizoi se i ndjek vazhdimisht e me vëmendje të madhe tensionet, që po trondisin këto ditë disa vende të Afrikës e të Azisë. Më pas kujtoi ministrin pakistanez katolik, Bhatin, vrarë sepse i kundërvihej ligjit mbi blasfeminë:
“I lutem Zotit Jezus që flijimi prekës i jetës së ministrit pakistanez Shahbaz Bhati, të zgjojë në ndërgjegjet e besimtarëve guximin dhe impenjimin për të mbrojtur lirinë fetare të të gjithë njerëzve, duke promovuar, kështu, dinjitetin e tyre të barabartë”.
Më pas Ati i Shenjtë nënvizoi se i ndjek me vëmendje e kujdes ngjarjet, që po jeton këto ditë populli i Libisë:
“Mendimi im drejtohet, pastaj, nga Libia, ku ndeshjet e kohëve të fundit shkaktuan vdekje të panumërta e krizë humanitare në rritje. Të gjitha viktimat e të gjithë ata, që jetojnë me ankth në zemër, i siguroj se lutem, se jam pranë tyre e se bëj thirrje që popullsitë e dëmtuara të mos mbeten pa ndihmë e solidaritet”.
Para fjalëve kushtuar ministrit Bhati dhe situatës në Libi, Papa komentoi Ugjillin e së dielës, duke u përqendruar tek shembëlltyra e dy shtëpive, njëra e ndërtuar mbi shkëmb e tjetra mbi rërë. Theksoi, kështu, një nga gjashtë shembëlltyrat, që i kushtohen urtisë e të kujtojnë se ai që e dëgjon Fjalën e Zotit e që e shtie në punë, “i përngjan njeriut i cili, kur e ndërtoi shtëpinë e vet, e mihi dheun thellë dhe themelin e vuri mbi shkëmb. Vërshoi uji, lumi u vërsul mbi atë shtëpi, por ajo nuk u tund, sepse i kishte themelet mbi shkëmb. Kurse ai, që e dëgjon Fjalën, por nuk e vë në veprim, i ngjet njeriut, i cili e ndërtoi shtëpinë përmbi rërë, pa themel! U vërsul mbi të lumi e e rrëzoi sakaq: ajo shtëpi u bë gërmadhë e madhe”:
“Në çdo epokë e në çdo vend, kush ka hirin ta njohë Jezusin, posaçërisht përmes leximit të Ungjillit Shenjt, mbetet i mahnitur, duke parë se me predikimin, gjestet, Vetjen e tij, ai na zbulon fytyrën e vërtetë të Zotit e, njëkohësisht, na ndihmon të kuptojmë vetveten, na bën të ndjejmë gëzimin e pafundmë të bijve të Atit, që është në qiell, duke na mësuar, kështu, edhe të gjejmë bazën e shëndoshë, mbi të cilën mund ta ndërtojmë pa frikë jetën tonë”.
Por shpesh - vërejti Papa - njeriu nuk e ndërton veprimtarinë e vet, jetën e vet, mbi këtë identitet. I pëlqen më shumë rëra e ideologjive, e pushtetit, e suksesit, e parasë. I pëlqen, sepse mendon që kështu mund të ndërtojë një jetë të sigurt e, sidomos, mund ta mbushë shpirtin me lumturinë e ëndërruar, duke realizuar plotësisht vetveten:
“E ne, mbi ç’ bazë duam ta ndërtojmë jetën tonë? Kush mund t’i përgjigjet vërtetësisht ankthit, që provon zemra njerëzore? Krishti është shkëmbi i jetës sonë! Ai është Fjala e amshuar e përfundimtare, që të mbron nga çdo kundërshtim, nga çdo kundështar, nga çdo vështirësi, nga çdo vuajtje”.
Në përfundim Papa uroi që Fjala e Zotit ta përshkojë tejembanë jetën tonë, duke depërtuar në çdo mendim, në çdo ndjenjë, në çdo veprim:
“Të dashur vëllezër, ju porosit t’i bëni vend ditë për ditë Fjalës së Zotit, të ushqeheni me të e ta meditoni vazhdimisht. Është ndihmë e çmuar edhe në përpjekjen për t’u ruajtur nga aktivizmi i cekët, që për një çast mund të të mbushë me krenari, por që në fund të fundit ta lë shpirtin të zbrazët e të pakënaqur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.