Viti 1467 është viti,
kur, si rrjedhojë e një sulmi turk, qyteti u braktis dhe qytetarët u bartën mbi kodër,
brenda kështjellës, ku jetuan, deri në vitin 1479. Është viti kur në traditën e Shkodrës
kujtohet shpërngulja e Figurës së Shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë. Është viti
kur u shfaq në Gjenacan, e shoqëruar prej dy shkodranëve, Gjergji e De Sklavis.
Pas
traktatit të paqes të 25 janarit 1479, nuk qe më e mundur të kishte lajme që të provonin
shpërnguljen e Figurës së Shenjtë dhe traditën e lidhur me të në Shkodër.
Prandaj
për një kohë të gjatë nuk qe e mundur të kishte as lajme të sakta rreth traditës vendore
shqiptare, në lidhje me shpërnguljen. Ishte e pamundur, sepse të gjithë të huajt shiheshin
me dyshim. Rreth gjysmës së shekullit XVIII diçka lëvizi dhe pati disa hapa nga ana
e njerëzve që mund të jepnin njoftime më të hollësishme.
Pas dy vjetësh, në
1747, gjendej në Romë, në kishën e Aracoelit, në të cilën po kremtohej Nëntëshja për
kanonizimin e Shën Pjetër Ragalatit, Kola i Ndoc Kamsit, “fisnik i Qytetit të Shkodrës,
e Bamirës i nëntë Kishave, që gjenden në afërsi të Qytetit të lartpërmendur”…..
Më
vonë kemi edhe dëshmi të tjera, ndër të cilat ajo e Atë Giampiero da Bergamo O.F.M.
Prefekt Papnor i Misioneve të Kastratit dhe i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të
këtij qyteti, dëshmi e 16 korrikut 1878, që jep një përshkrim interesant dhe të hollësishëm
të rrënojave të kishës. Një hollësi për t’u vënë në dukje është zgavra që nga përmasat
u përgjigjej atyre të pikturës së nderuar dhe që gjendet në Gjenacan.
Më 17
dhjetor 1878, Imzot Engjëll Radoja, Vikar i Përgjithshëm i Shkodrës, do të lëshonte
një tjetër dëshmi me rëndësi në lidhje me vendosjen e kishës, e quajtur kishëz, në
të cilën gjendej “Figura e Zojës së Shkodrës”.
Kuvendi i III i Arbrit (1895)
propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë,
e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua
Atit të Shenjtë, Papës Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe 26 prilli u shpall
si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së pavarësisë
prej zgjedhës turke (28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar
së nderuarës Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, në kulmin e
Luftës I Botërore.
Më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i
shpërnguljes prej Shkodrës i Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin
gërmadhat e shenjtërores së lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës
XIX austriake, Arqipeshkvisë së Shkodrës. Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një
dokument pronësie që, më 7 korrik 1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak
Serreqit. Pastaj më 31 korrik u bekua guri i parë.
Me vitin 1944 erdhën kohë
të zymta për Kishën dhe Kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandaj
ateist, u sul me furi kundër gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri.
Të njëjtin fat pati edhe Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, që do të pësonte
barbarizmin “kultural”. Përveçse u shkatërrua ndërtesa, u nxorën dhe u hodhën në lumin
aty pranë mbetjet e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që kishte qenë i varrosur
brenda kishës.
Me kthimin e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit
komunist dhe vendosjen e demokracisë aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe
e dendur për të rindërtuar gjithçka që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe
Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës. Me projekt e përmasa të njëjta, siç kishte qenë
para shembjes. Ky vend i shenjtë kulti pati mecenatin e vet te një shqiptar, mosn.
Simeone Duca, i Kolonisë Arbëreshe (Borgo Erizzo), pranë Zare, koloni shqiptarësh
që në shekullin XVIII.
Më 25 prill 1993 u bekua gurthemeli nga Papa Gjon Pali
II, i cili na dhuroi edhe Kopjen autentike të Figurës së Zojës, që nderohet në Shenjtërore. Me
nxitjen e Arqipeshkvit Imzot Frano Illia, filluan punimet e rindërtimit. Nga emërimit
si Administrator Apostolik të Imzot Angelo Massafra, të ndihmuar nga imzot Lucjan
Avgustini, Famullitari i Katedrales, punimet u përshpejtuan deri në kushtimin e Shenjtërores,
që u bë më 24 maj 1998 nga Kardinali Jozef Tomko, Prefekti i kongregatës “Propaganda
Fide”. (nga broshura “Shenjtnorja e Zojës së Shkodrës Willy Kamsi)