2011-05-20 17:53:01

Irak: dialog me botën islamike për të ndaluar ikjen e të krishterëve.


(20.05.2011 RV)Për të ndaluar heksodin e të krishterëve nga Iraku e për të ndërtuar ardhmërinë e sigurtë në vend, e vetmja rrugë është dialogu me myslimanët. Ndeshja e dhuna çojnë vetëm në gjakderdhje të reja, e ikje të reja, deri në zhdukjen e gjurmëve të krishterimit, në këto vise, ku shkelën Apostujt te parë të Krishtit. E pohon këtë domenikani, atë Josif Tomas Mirkis, drejtor i revistës “Al-Fikr Al Masihi”(Mendimi i krishterë), e para revistë autoritare katolike në vend. Në një intervistë dhënë agjencisë Apic, në përfundim të një simpoziumi kushtuar krishterimit në Mesopotami, mbajtur këto ditë në Universitetin e Friburgut, në Zvicër, rregulltari domenikan vuri theksin mbi gjendjen e bashkësisë së krishterë irakiane, pas masakrës së 31 tetorit në Kishën siro-katolike të Zojës së Ndihmës së Përhershme në Bagdad. Ky atentat ishte 11 shtatori ynë, që i tregoi mbarë botës brishtësinë e shoqërisë irakiane, kujtoi meshtari, duke sqaruar se mungesa e plotë e sigurisë nuk prek vetëm bashkësinë e krishterë, por edhe popullsinë myslimane, edhe ajo viktimë e dhunës dhe e fanatizmit në këto vite të përgjakshme. E pikërisht me myslimanët e moderuar, që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë, bashkësia e krishterë duhet të bashkëpunojë ngushtësisht, në se duam të ndërtojmë një ardhmëri të sigurtë, theksoi rregulltari domenikan. E kjo ardhmëri varet shumë edhe nga aftësitë për të edukuar një shtresë të re drejtuese, për të zëvendësuar njerëzit më të aftë, trurin e Irakut, në ikje të vijueshme. Po sa prej tyre do të pranojnë të flijohen për një vend, ku e dinë mirë se mbrojtja e idealeve paguhet me jetë? Ku heronjtë vriten dy herë, sepse mbyten e harrohen?
Gjithsesi etërit domenikanë kanë vendosur të mos mjaftohen vetëm me propozime. Ata themeluan, në Bagdad, Universitetin e hapur të shkencave humaniste. Qendra u ngrit me kontributin e akademikëve e të pesonaliteteve myslimane e të krishtera të botës së kulturës e të politikës. Ka për qëllim të bëhet vend dialogu e kërkimi shkencor për të gjithë irakianët, duke krijuar ato lidhje të bashkëjetesës paqësore, që fanatikët bëjnë çmos t’i këpusin, e duke punuar konkretisht për t’i kthyer ‘trurin’ vendit, që integralizmi e fanatizmi të mos mund ta shkatërrojë.









All the contents on this site are copyrighted ©.