2011-06-04 18:30:10

Benedikti XVI në Kroaci: Konferenca e shtypit me gazetarët në avion


Benedikti XVI u nis me avion rreth orës 09.30 nga Aeroporti Ndërkombëtar “Leonardo da Vinçi” i Romës, drejt Zagrebit, për të arritur rreth orës 11.00 në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Pleso’. Siç është bërë tashmë traditë, gjatë flurimit mirëpriti pyetjet e gazetarëve, duke nisur nga pyetja e parë, kushtuar lidhjes së Selisë së Shenjtë me Kroacinë

Pyetje: - Shenjtëri, ju keni qenë edhe herë të tjera në Kroaci, ndërsa paraardhësi juaj ka bërë tre shtegtime në këtë vend. A mund të flitet për një lidhje të veçantë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kroacisë?

Përgjigje: - Personalisht kam qenë dy herë në Kroaci. Herën e parë për funeralin e kardinalit Sheper, paraardhësi im në Doktrinën e Fesë, miku im shumë i dashur dhe Kryetar i Komisionit Teologjik, anëtar i të cilit isha edhe unë. Prandaj mund të them se e njoha nga afër mirësinë, inteligjencën, gjykimin, karakterin e tij gazmor. E mund të them edhe se figura e tij më krijoi idenë për vetë Kroacinë, sepse ai ishte kroat i madh, e evropian i madh. E pastaj isha edhe një herë tjetër, për të marrë pjesë në një simpozium në një shenjtërore mariane, i ftuar nga sekretari i tij i posaçëm, edhe ai njeri jashtëzakonisht gazmor, që shquhej për një mirësi të posaçme. Këtu pashë me sytë e mi sa e thellë është përshpirtëria popullore, shumë e ngjashme me atë të vendit tim. E e ndjeva veten vërtet të lum, duke parë këtë mishërim të thellë të fesë: fe e jetuar me zemër, në të cilën e mbinatyrshmja bëhet e natyrshme, e ndriçuar nga e mbinatyrshmja. E kështu e pashë dhe e jetova Kroacinë, me historinë e vet mijëravjeçare katolike, gjithnjë pranë Selisë së Shenjtë, e lidhur ngusht me historinë e Kishës së lashtë. Pashë se ekziston një vëllazërim shumë i thellë në fe, në dëshirën për t’i shërbyer Zotit, për njeriun, në humanizmin e krishterë; në këtë kuptim, më duket se ka një lidhje të natyrshme, përmes kësaj feje të vërtetë katolike, që, duke ua hapur zemrën të gjithëve, e shndërron botën, dëshiron ta shndërrojë botën,

Pyetje: - Atë i Shenjtë, Kroacia së shpejti do të radhitet ndërmjet 27 shteteve, që bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian: por, kohët e fundit, në gjirin e popullit kroat vërehet një farë skepticizmi lidhur me këtë Bashkim. Në këtë situatë, a do t’i jepni ndonjë mesazh inkurajimi kroatëve, që ta shikojnë Evropën jo vetëm në perspektivën ekonomike, por edhe në atë kulturore e, sidomos, të mbrojtjes së vlerave të krishtera?

Përgjigje: - Besoj se shumica e Kroatëve mendon me gëzim të madh për këtë çast, që i radhit në Bashkmin Evropian, sepse është popull thellësisht evropian. Kardinajtë Sipac, Kuhariç, Bozaniç, më kanë thënë gjithnjë: “Ne nuk jemi Ballkan, por Mitelevropë (Evropë Qëndrore)”. Prej këndej, mund të themi se është një popull që ndodhet në qendër të Evropës, të historisë së saj e të kulturës së saj. Në këtë kuptim, mendoj, është logjike, e drejtë dhe e nevojshme që Kroacia të rrijë aty, ku historikisht e kulturalisht ka qenë gjithnjë. Natyrisht mund të kuptohet një farë skepticizmi, në se një popull numerikisht jo i madh, hyn në këtë Evropë, që tashmë është bërë e themeluar. Ndoshta ndjehet një farë frike nga burokratizmi qendërzues tejet i fortë, nga një farë kulture racionalistike, që nuk e llogarit aq historinë, pasurinë e historisë e edhe pasurinë e larmive historike. Më duket se pikërisht ky mund të jetë edhe misioni i këtij populli, që hyn tani: të sjellë risinë e vet në unitetin e larmive. Identiteti evropian dallohet pikërisht nga pasuria e kulturave të ndryshme, që përkojnë me fenë e krishterë, me vlerat e mëdha të krishtera. E që kjo të bëhet përsëri e dukshme dhe e frytshme, më duket pikërisht se është misioni i kroatëve, të cilët hyjnë tani për të forcuar, kundër një farë racionalizmi abstrakt, karakterin historik të kulturave tona e larminë e tyre, që është pasuria jonë. Në këtë kuptim i inkurajoj kroatët; procesi i hyrjes është reciprok, është të japësh e të marrësh. E Kroacia ka ç’të japë, me historinë e vet, me aftësitë e veta njerëzore dhe ekonomike; por ka edhe ç’të marrë, duke zgjëruar horizontin e duke jetuar në këtë shkëmbim të madh, jo vetëm ekonomik, por edhe kulturor e shpirtëror.

Pyetje: - Shumë kroatë shpresonin se me rastin e shtegtimit tuaj, kardinali Stepinac mund të shpallej shenjt. Ç’mund të na thoni për këtë figurë?

Papa: - Kardinali ishte bari i madh i krishterë e njeri me humanizëm shembullor. Mund të them se pati fatin e keq të jetojë në kushtet e dy diktaturave të kundërta, por që të dyja krejt antihumaniste: e para, regjimi i ustashëve, që dukej sikur do të realizonte ëndrrën e pavarësisë, gjë që në të vërtetë ishte një mashtrim i madh, sepse e manipuluar nga Hitleri për qëllimet e tij. Kardinali Stepinac e kuptoi shumë mirë këtë dhe mbrojti humanizmin e vërtetë kundër këtij regjimi, duke ndihmuar njëlloj, serbët, ciganët e hebrenjtë: dha shembull si njeri i madh, edhe me çmimin e vuajtjeve. Pastaj erdhi e kundërta e diktaturës nazite, ajo komuniste, gjatë së cilës iu desh të vijonte përsëri luftën për mbrojtjen e fesë, për praninë e Zotit në botë, për humanizmin e vërtetë, që varet nga prania e Zotit: humanizmi i vërtetë lulëzon vetëm atje, ku njeriu është shembëllim i Zotit. Duhet të themi se ky ishte fati i tij: të luftonte dy luftëra të ndryshme e të kundërta e pikërisht ky vendim për të mbrojtur të vërtetën kundër frymës së kohës: e ky humanizëm, që vjen nga feja e krishterë, është një shembull i madh, e jo vetëm për kristianët, por edhe për të gjithë ne!








All the contents on this site are copyrighted ©.