2011-06-18 10:22:44

Papa: të gjithë duhet të lutemi për priftërinjtë, që të jenë dëshmitarë të dashurisë së Zotit


Në muajin qershor, Benedikti XVI u kërkon besimtarëve të luten që meshtarët të jenë të bashkuar me Zemrën e Krishtit. “Të lutemi që meshtarët, të bashkuar me Zemrën e Krishtit, të jenë gjithnjë dëshmitarë të vërtetë të dashurisë së kujdesshme e të mëshirshme të Zotit”: ky është ndjeti i përgjithshëm i lutjes së Benediktit XVI për muajin qershor, të cilin Kisha Katolike ia kushton Zemrës së Krishtit, pas majit, muajit kushtuar Zojës së Bekuar. Rrënjosjes së meshtarisë në Zemrën e Krishtit, Papa i ka kushtuar shumë reflektime, veçanërisht gjatë Vitit Meshtarak.RealAudioMP3
Që në fillim të papnisë së tij, Ati i Shenjtë u kërkon priftërinjve të jenë meshtarë “sipas Zemrës së Krishtit”. Kjo thirrje merr kuptim të ri e shumëfishohet, kur Kisha plagoset rëndë nga shkandulli i abuzimeve mbi të miturit të disa anëtarëve të klerit. Në përfundim të Vitit Meshtarak, në festën e Zemrës së Krishtit, Papa kujton se meshtarët duhet ta kenë vështrimin e ngulur në kraharorin e Krishtit, shporuar nga heshta e ushtarit romak:
“Po, zemra e Tij është e hapur për ne e para nesh – e me të, na u hap zemra e vetë Zotit. Liturgjia e interpreton për ne gjuhën e zemrës së Jezusit, e cila flet sidomos për Zotin si bari i njerëzve e, në këtë mënyrë, na tregon meshtarinë e Jezusit, që rrënjoset në intimitetin e zemrës së Tij; kështu, na bën të qartë themelin e përhershëm dhe kriterin e vlefshëm për çdo shërbim meshtarak, që gjithnjë, duhet të ankorohet në zemrën e Jezusit dhe të jetohet duke u bazuar tek ajo” (Mesha në përfundim të Vitit Meshtarak, 11 qershor 2010).
Zemra e shporuar e Jezusit, vazhdon Papa, bëhet burim: “Uji dhe gjaku, që dalin prej saj, na kujtojnë dy Sakramentet themelore, me të cilat jeton Kisha: Pagëzimi dhe Eukaristia”. Pra, kjo zemër e hapur është burim i lumit të ri të jetës:
“Çdo i krishterë e çdo meshtar, duke filluar nga Krishti, duhet të bëhet burim që u jep jetë të tjerëve. Ne duhet t’ia dhurojmë ujin e jetës botës së etur. O Zot, të falenderojmë, sepse hape zemrën tënde për ne; sepse me vdekjen dhe ringjalljen tënde u bëre burim jete” (Mesha në përfundim të Vitit Meshtarak, 11 qershor 2010).
“Cor ad Cor loquitur”, “Zemra i flet zemrës”: motoja e të Lumit Njuman, që Papa e bëri të vetën gjatë udhëtimit apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, nënvizon rëndësinë që ka gjuha e zemrës për fenë. E kjo vlen edhe më shumë për meshtarët. Jo rastësisht, pikërisht në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet dita për shenjtërimin e meshtarëve:
“Meshtari është dhuratë e Zemrës së Krishtit: një dhuratë për Kishën e për botën. Nga Zemra e Birit të Zotit, përplot më dashuri e bamirësi, lindin të gjitha të mirat e Kishës. Veçanërisht, në të e ka zanafillën thirrja e atyre njerëzve, që, të mahnitur nga Zoti ynë Jezu Krisht, lenë gjithçka për t’iu kushtuar tërësisht shërbimit për popullin e krishterë, sipas shembullit të Bariut të Mirë” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 13 qershor 2010).
Gjatë historisë, kujton Papa, shumë meshtarë kanë jetuar të bashkuar me Zemrën e Krishtit, ia kanë kushtuar jetën Kishës, nganjëherë, deri në martirizim. Është rasti i të riut don Jerzhi Popjelushko, viktimë e regjimit komunist në Poloni, por edhe të sa e sa meshtarëve, që u martirizuan dhe u persekutuan në Shqipëri e në vendet e tjera të Evropës Lindore:
“Nëse shohim historinë, mund të vërejmë sa faqe rinovimi të vërtetë shpirtëror e shoqëror janë shkruar me ndihmën vendimtare të meshtarëve katolikë, të frymëzuar vetëm nga pasioni për Ungjillin e për njeriun, për lirinë e vërtetë të tij, fetare e civile. Sa nisma për promovimin e plotë të njeriut e kanë zanafillën në intuitën e një zemre meshtarake” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 13 qershor 2010).
Benedikti XVI u bën thirrje meshtarëve të jenë ajo që pritet prej tyre, t’ia dhurojnë vetveten Krishtit e kështu, të bëhen vërtet shenjë e pranisë së Tij në mesin e popullit të Zotit:
“Dhurojani veten Jezusit për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që përmban Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e atë të të gjithë shenjtorëve, si edhe për të humbur në këto thellësi dashurie, bamirësie, mëshire, përvujtërie, durimi, nënshtrimi e shenjtërie” (Audienca e përgjithshme, 19 gusht 2009).







All the contents on this site are copyrighted ©.