2011-07-25 14:43:28

Më 25 korrik 1968 Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’.


43-vjet më parë, më 25 korrik 1968 Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’. Sot më 25 korrik përkujtojmë Enciklikën ’ Humanae Vitae ‘ një dokument i rëndësishëm e një nga gurët kilometrikë që Papa Pali VI nga magjisteri i tij i la Kishës e njerëzimit. Kjo enciklikë shpjegon doktrinën mbi Sakramentin e Martesës ashtu siç e ka përcaktuar Koncili i Dytë i Vatikanit dhe pohon se liria duhet të shkojë krah për krah me të vërtetën, kur është fjala për të mbrojtur dhuratën e paçmueshme të jetës njerëzore.
Nëse kthehemi pak mbrapa në kohë, vërejmë se me Koncilin e Dytë të Vatikanit, Kisha përtërihet, rinohet në thellësi. Megjithatë disa përpiqen t’i japin një shpjegim herë progresist e herë konservator, që nuk përkon me domethënien e vërtetë të ngjarjes së madhe. Trazirat paskonciliare i shkaktojnë Papës Palit VI vuajtje të thella, por nuk e bëjnë të heqë dorë nga dëshmimi i së Vërtetës sepse, si Shën Agostini, Papa Montini ishte i bindur se lumturia s’është tjetër, veçse gëzimi që buron nga e vërteta ‘gaudium de veritate’. Rasti më i bujshëm në këtë kuptim, është ai i botimit të ‘Humanæ Vitæ’, më 25 korrik 1968.
Enciklika, e përqendruar tek dashuria e përgjegjshme bashkëshortore, ripohon qëndrimin negativ të Kishës lidhur me përdorimin e sistemeve artificiale të ndalimit të shtatzanisë. Në vitin simbol të kundërvënieve, Pali VI bëhet, edhe në botën katolike, objekt kritikash të rrepta, të cilat nganjëherë përfundojnë edhe në fyerje.
Papa Montini mendoi gjatë, para se ta zgjidhte këtë rrugë, me vetëdijen se nuk do të ishte aspak e lehtë. Më 4 gusht të vitit 1968, në Engjëllin e Tënzot, Papa i shpjegon arsyet e kësaj zgjedhjeje me koherencë të plotë: “Fjala jonë nuk është e lehtë, nuk përkon me zakonin që sot, për fat të keq, vijon të përhapet si i dobishëm e, në dukje, i favorshëm për dashurinë e për harmoninë familjare. Nuk duam të kujtojmë përsëri se norma e ripohuar nga Ne, nuk është Jona, por e vetë mënyrës së ndërtimit të jetës, të dashurisë e të dinjitetit njerëzor”.
Më 2008 në 40 -vjetorin e botimit të këtij dokumenti, Papa Benedikti XVI kujtoi rrethanat e vështira, në të cilat Papa Montini vendosi t’i kushtonte një enciklikë përgjegjësisë në dashurinë bashkëshortore:
“Ky dokument u bë shumë shpejt shenjë kundërshtie. I hartuar në dritën e një vendimi të marrë jo pa vështirësi, Enciklika mbetet gjest domethënës guximi, në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Ky tekst, shpesh herë i keqkuptuar e i vënë në dyshim, shkaktoi diskutime të shumta, edhe pse qe në zanafillën e një kundërshtimi të thellë, që shënoi jetën e breznive të tëra” (10 maj 2008).
"Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”.
Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ, fryt i një vendimi të thelluar, gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”.
Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë”, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterëve tonë. Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse.
Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, “mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që – siç thotë Papa – rri gjithnjë në pritë”. Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku – pohon Benedikti XVI – mund të bëjnë diçka shumë të madhe”. Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!







All the contents on this site are copyrighted ©.