Është gjetur në Turqi një varr paleokristian, ndoshta i shën Filipit apostull
Nëse do të konfirmohej, do të ishte lajmi më i rëndësishëm për bashkësitë e krishtera
që e nderojnë e ndoshta, do të sqaronte disa rrethana të pacaktuara të vdekjes së
tij: Misioni arkeologjik italian, i kryesuar nga Françesko D’Andria, mund të ketë
gjetur në Turqi varrin e shën Filipit, njërit nga 12 Apostujt e Jezu Krishtit, predikatar
në Azinë e Vogël. Varri paleokristian është zbuluar në zonën e Pamukales, e cila në
lashtësi njihej me emrin Hierapolis, ndërsa sot është qendër e njohur termale turke.
Varri nuk është hapur akoma, por duke pasur parasysh strukturën dhe shkrimet mbi të,
duhet të jetë pikërisht i shenjtit, që pati lindur në Betsaidë në vitin 5 pas Krishtit
e pati vdekur rreth vitit 80, nuk dihet nëse i kryqëzuar nga romakët, apo për shkaqe
natyrore. Natyrisht lajmi u prit me optimizëm, por edhe me kujdes, nga ekspertët e
nga bashkësia kishtare. “Do të ishte një lajm i madh për krejt krishterimin – komenton
për agjensinë vatikanase Sir, sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Turke,
atë Anton Bulai – do të tërheqë shumë shtegtarë e do të jetë detyrë e të krishterëve
ta ruajnë shenjtin”.