2011-08-29 16:20:20

Benedikti XVI në meshë me ish studentët: Jemi të thirrur t’ua çojmë njerëzve dritën e fytyrës së Zotit


Neriu të mos e mbytë etjen për madhështi në sende kalimtare, por të zbulojë se Zoti është uji i gjallë i vërtetë! Keshtu tha Papa dje paradite në qendrën Mariapoli të Kastel Gandolfos, gjatë Meshës me ish-studentet e tij, ata që ulen në bankat e një shkolle, e cila njihet me emrin Ratzinger Schülerkreis. Sivjet, në qendër të seminarit tradicional veror të ish-nxënësve të Jozef Ratcingerit, mbajtur në Kastelgandolfo ishte "ungjillëzimi i ri". Ati i Shenjtë, duke e hapur dje kremtimin eukaristik, komentoi shkurtimisht fjalët e Psalmit 62, propozuar nga liturgjia e së dielës: “Ka etje për ty shpirti im... ty të dëshiron trupi im, si toka e djerrë, e thatë, pa ujë”.
Është koha e pritjes së Zotit! Në këtë kohë, kur Zoti mungon – tha Papa – kur toka e shpirtërave është e shkretë, e thatë, pa ujë, e njerëzit nuk e dinë ende ku gurron uji i gjallë, t’i lutemi Zoti t’ua tregojë burimin!
T’i lutemi Zotit t’u tregojë atyre, të cilët e kërkojnë gjetiu ujin e gjallë, se është Ai vetë uji i gjallë.
T’i lutemi të mos lejojë, që jeta e njerëzve dhe etja e tyre për madhështi, të mbytet, t’i zihet fryma në kotësinë e çastit kalimtar.
Papa i lartoi Zotit lutjen posaçërisht për të rinjtë, që shpirti i tyre të ketë gjithnjë etje për Të. E më pas shtoi: “Edhe ne, që e njohim qysh në rininë e parë, duhet t’i lypim ndjesë. Tepër pak ua çojmë njerëzve dritën e Fytyrës së Tij, sepse e ndjejmë pak edhe në shpirtin tonë sigurinë se Zoti është, se Zoti është këtu pranë, se Zoti është madhështia e vërtetë, për të cilën kemi etje gjithnjë, të gjithë. Etje, që vetëm Ai mund ta shuajë”.Homelinë e Meshës e mbajti kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Kristof Shënborn. Hirësia e Tij nënvizoi se të ecësh pas Krishtit, do të thotë ta mohosh krejtësisht vetveten. Vetëm kështu mund të hysh në optikën e Zotit. Vetëm duke mos iu përshtatur vullnetit të botës – vijoi Kardinali, në sa komentonte fjalët e Shën Palit drejtuar Romakëve – mund ta njohim vullnetin e Zotit për jetën tonë e ta themelojmë këtë jetë mbi Të. Këto janë kushtet, që duhen plotësuar pa tjetër, në se duam të jemi miq të Zotit, pikë ku synojmë të arrijmë, kur përpiqemi të kthehemi në rrugën e Tij – tha Kardinali Shënborn, në përfundim të homelisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.