2011-11-16 18:09:41

Ungjillëzimi në kontinentin digjital. Imzot Celli flet mbi shtigjet e reja të komunikimit


Ungjillëzimi i ri kalon përmes kontinentit digjital që s’ka kufij, i cili tashmë banohet nga mase dy miliardë njerëz. Kisha katolike prej kohësh ka ndërmarrë udhët e reja digjitale për ti ofruar mundësinë e takimit kësaj pjese të konsiderueshme të njerëzimit me Jezu Krishtin. Kështu pohoi mes tjerash kryeipeshkvi imzot Claudio Maria Celli, president i Këshillit Papnor për Komunikimet shoqërore, në një intervistë dhënë të përditshmes së Vatikanit ‘L’Osservatore Romano’ të 16 nëntorit duke folur mbi shtigjet e reja të komunikimit, në kuadrin e punimeve të Kongresit të dytë ndërkombëtar të Rrjetit informatik të Kishës në Amerikën Latine (Riial), që u zhvillua kohëve të fundit në Santiago të Kilit, ku imzot Celli mori pjesë dhe mes tjerash propozoi idenë e një teologjie të përtërirë të komunikimit.
Në Kongres kushtuar Kishës dhe kulturës digjitale, zhvilluar në kryeqytetin e Kilit, imzot Celli vuri theksin në mënyrë të veçantë mbi rolin e komunikimit e atë të mediave në ungjillëzimin e ri, duke nënvizuar marrëdhënien dhe lidhjen e ngushtë që ekziston ndërmjet misionit e komunikimit.
Kisha, sidomos duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit, është përfshirë në ndryshime të thella kulturore që ka shkaktuar pikërisht përshpejtimi i komunikimit. Papët – posaçërisht Gjon Pali II e Benedikti XVI – kanë inkurajuar besimtarët të kenë rol aktiv e pozitiv në fushën e komunikimit shoqëror, duke vënë Ungjillin në qendër të mesazhit për t’u përhapur e për ta bërë atë të njohur në realitetin krejtësisht të ri të fshatit global. Në këtë prizëm, Kisha është duke rilexuar aspektet e ndryshme të natyrës dhe të misionit të vet që ka, duke propozuar në rend të parë, të vërtetën themelore të dinamikës komunikuese të Zotit: e këtu mund të rizbulojmë atë mahnitje përherë të re se esenca e çdo akti komunikues të Kishës nuk mund të mos i referohet vet natyrës së saj, asaj të një bashkësie të themeluar nga Hyji i bërë njeri dhe nga Fjala e tij. E vet Mishërimi i Hyjit është komunikim drejtuar e ofruar mbarë njerëzimit.
Në Santo Domingo, më 1992, Ipeshkvijtë e Amerikës Latine patën pohuar se Kisha komunikon-për-bashkim; që nga ai moment kjo ka qenë edhe një pik referimi dhe udhërrëfyese e veprimtarisë në jetën e përditshme të komuniteteve kishtare. Vërtet Kisha e ka në gjak komunikimin, sepse është pjesë e pandashme natyrës së saj, prandaj ajo nuk mund ta injoroi asnjë fazë e asnjë synim të komunikimit në tërësinë e vet, dhe e ndriçuar nga kultura digjitale e në dritën e Ungjillit, ajo vepron në shoqëri si tharm. Synimi është pikërisht thellimi i njohjes së Zotit nga pikëpamja e komunikimit. Ja me pak fjalë, arsyeja e Kongresit të Santiagos së Kilit.







All the contents on this site are copyrighted ©.