Përvjetori i vdekjes së martirit Atë Luigj Paliqit.
Atë Luigji lindi në Janjevë, afër Prishtinës, më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina
e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare në radhët
e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator
1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e përkohshme i bëri më 23 shtator 1897,
të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi
misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën
që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit. Nga fundi i shkurtit
1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst
dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte
besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e të parëve,
e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka
e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi
me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Patër
Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan
më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë,
i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit.
Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo
vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul,
nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur
deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën
më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me
Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri. Gazetat evropiane
të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet
që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti
gishtin për t'ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit
të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit apo Luigjit, mbytur barbarisht
nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit
disa qindra të tjerë. E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos
ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Koloseumet moderne bijtë e Krishtit
vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun
e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë!Shumë bujë bëri
vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi. Më në fund, më 7 tetor
1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze
Sposojeviç, imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u
bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen, më 8 tetor 1913, e njëjta
turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Luzit, mbi krye të të cilit ishte vendosur
një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit
1913" . Ky varr, ku ipeshkvi imzot Lazër Mjeda çoi meshën e parë për shpirt të martirit,
është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një
elter të ri. Martiri fitoi! Kujtojmë se Atë Luigj Paliqi është në listën e 40 martirëve
shqiptarë, çështja e të cilëve ka kaluar në Vatikan për të vijuar procedurën deri
në pritje të miratimit e shpalljes së tyre shenjtorë martirë.